Formula 1

Mercedes “firmos” edhe Abu Dhabin dhe gjithë sezonin e F1

Formula 1 ka ulur siparin sot me Çmimin e Madh të Abu Dhabit, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe në këtë garë ishin makinat Mercedes ato që dominuan, por me ndryshimin se fitues u shpall finlandezi Valteri Bottas, që la pas kampionin e botës, Lewis Hamiltonin.

Menjëherë pas 2 makinave Mercedes, vinin 2 makinat e kuqe Ferrari, me Vettelin që u ngjit në podium dhe finlandezin Raikkonen, që e mbylli garën në vendin e 4-t.

Gjithsesi, verdiktet e këtij sezoni ishin dhënë më herët dhe gara vlente vetëm për sodisfaksionin personal të pilotëve, por edhe për kënaqësinë e të apasionuarve pas këtij sporti.

Kështu, piloti britanik i Mercedes, Lewis Hamilton, u shpall kampion në këtë sezon të Formulës 1, titull të cilin e fitoi kur kishin mbetur edhe 2 gara për t’u zhvilluar ende. Nga ana tjetër, skuderia gjermane Mercedes, arriti të fitojë titullin kampion për konstruktorë, kur duheshin ende edhe 3 gara për t’u mbyllur kampionati.

Ky sezon i Formulës 1 do të mbahet mend për rivalitetin e madhe mes Sebastian Vetteli dhe Lewis Hamiltonit. Në pjesën e parë të sezonit, ishte pikërisht gjermani i Ferrarit, ai që kryesonte renditjen për pilotë, por në garat e fundit humbi shumë terren, duke i dhënë mundësi britanikut të Mercedesti, ta parakalojë dhe të shkëputet, për të fituar titullin 2 gara nga fundi.

To Top