Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kategoria Superiore

Martini për ‘Zona Gol’: Bashkia dhe lojtarët, fajtorë për situatën e Vllaznisë

Ish sulmuesi dhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini ishte i ftuar në ‘Zona Gol’, në Supersport, ku foli për situatën në të cilën ndodhet skuadra shkodrane, që për të dytin vit radhazi, do të diskutojë mbijetesën në javën e fundit.

Martini ka luajtur për dy sezone edhe me Eintrachtin e Frankfurtit, që mbrëmjen e të shtunës fitoi Kupën e Gjermanisë, duke mposhtur në finale Bayernin.

‘Zona Gol’: Eintrachti juaj fitoi Kupën sot…
Edi Martini: Jam shumë i lumtur dhe më vjen mirë që skuadra u rikthye të marrë trofe. Unë kam qenë në një moment të vështirë te kjo skuadër, kur luante në Bundesligën 2, por jam ende shumë i lidhur, pavarësisht se nuk më shkoi fort mirë si eksperiencë, kjo edhe për shkak të dëmtimit.

‘Zona Gol’: Çfarë të pëlqen më shumë te Bundesliga dhe që do të donit ta shikonit në Shqipëri?
Edi Martini: Bundesligës i kam zili tifozërinë, që është gjithmonë e shumtë në numër dhe e zjarrtë, pavarësisht se kush luan në fushë. Futbolli luhet për ta, ndaj është shumë e rëndësishme që të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit.

‘Zona Gol’: Sa e njihni kampionatin në Kosovë?
Edi Martini: E njoh shumë mirë, pasi para se të lë karrierën, kam luajtur për 6 muaj me Flamurtarin e Prishtinës. Atje ka më shumë rivalitet dhe më shumë dëshirë për të bërë mirë dhe për t’u përmirësuar, por vuajnë disi nga infrastruktura. Gjithsesi jam i bindur që pasi të rregullojnë edhe këtë aspekt, do të avancojnë shumë përpara.

‘Zona Gol’: Si e shikoni këtë situatë të Vllaznisë?
Edi Martini: Dua që në fillim të qartësoj se kam dëshirë të flas si tifoz, jo si ish futbollist, apo protagonist te kjo skuadër. Shkodra është e bekuar nga zoti dhe pikërisht ky po na ndihmon edhe tani mesa shoh. Dua të falënderoj si tifoz edhe përkushtimin e Laçit sot, pasi ishte me rëndësi për ne. Pavarësisht të gjithave, besoj se duke parë situatën që është krijuar, Vllaznia do t’ia dalë të mbijetojë në javën e fundit.

‘Zona Gol’: Kush mendoni se është fajtori për këtë situatë që është e tillë prej kohësh te Vllaznia?
Edi Martini: Fajtori dihet tashmë, për mendimin tim, sepse në Shkodër mungon kërkesa e llogarisë. Bashkia hedh paratë, por nuk arrin të kërkojë llogari për shpenzimet që bën, ndaj unë vazhdimisht kam bërë thirrje që Vllaznia të privatizohet dhe t’i jepet një presidenti, që do të dinte të menaxhonte shpenzimet. Megjithatë unë mendoj se fajtorë janë edhe lojtarët, të cilët mesa duket e shohin veten si punëtorë të bashkisë dhe jo futbollistë të Vllaznisë. Lojtarët duhet ta dinë mirë se çfarë bluze mbajnë mbi shpinë dhe duhet ta djersijnë shumë atë në fushë.

‘Zona Gol’: Çfarë nënkupton me kërkesë llogarie?
Edi Martini: Unë mendoj se edhe te Vllaznia duhet të ndryshonte trajner më herët, pasi megjithë respektin për Gjokën, rezultatet prej javësh nuk ishin në favor të tij. Kamza e bëri shumë mirë, duke ndryshuar trajner dhe rifreskuar ambientin, gjë të cilën Vllaznia nuk e bëri, duke mbetur pa trajner fare në dy javët e fundit.

‘Zona Gol’: Ku çaloi menaxhimi i skuadrës?
Edi Martini: Vllaznia është prej kohësh pa një drejtor teknik, që të jetë specialist i fushës dhe të bëjë edhe atë kërkesën e llogarisë. Administratori është një njeri shumë pozitiv, por nuk është specialist i fushës dhe nuk arrin të diskutojë teknikisht dhe t’i kërkojë llogari si duhet skuadrës.

‘Zona Gol’: Nëse Vllaznia shpëton, çfarë do ndodhë me skuadrën, pasi jeni edhe në prag të 100-vjetorit?
Edi Martini: Shpresoj shumë që të shpëtojmë fillimisht. Më pas duhet të zëmë mend dhe të privatizojmë ekipin, pasi përndryshe do të mbeteshim në të njëjtën situatë. Gjithsesi shpëtimi është i vështirë, pasi Partizani ka dalë nga objektivat dhe nuk e di nëse do të angazhohet maksimalisht. Për më tepër, uroj që t’ia fus kot, por te Partizani, drejtor është vëllai i kryeministrit dhe ky i fundit është përplasur shumë herë me Voltana Ademin, kryetaren e bashkisë. Gjithsesi shpresoj të shpëtojmë njëherë, pasi më pas jam i bindur që do t’i bëhet dermani.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Eredivisie

Lajm i keq për tifozët e Vitesses, skuadër e Eredivisies. Përmes një njoftimi zyrtar për shtyp, KNVB (d.m.th. Federata Holandeze e Futbollit) njoftoi se...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...