Kategoria Superiore

Lushnja e rrëzuar zyrtarisht, por synon të kopjojë Tërbunin

Lushnja është matematikisht në Kategorinë e Parë, sigurisht nuk është një lajm sensacional, por thjesht fundi i një rruge të ndërrrmarrë thuajse që nga starti i sezonit. Skuadrat të financuara nga bashkia kanë hasur gjithnjë probleme në Shqipëri dhe një tjetër shëmbull erdhi pikërisht nga lagunarët. Një sezon për t’u harruar, ose më mirë për të kuptuar se çfarë duhet ndryshuar në të ardhmen dhe e ardhmja e lushnjarëve i ka hedhur hapat e para. Tajneri Ilir Gjyla e morri përsipër drejtimin e skuadrës duke qënë i fokusuar tek evidentimi i elementëve që mund të shërbejnë në Kategorinë e Parë, megjithatë ky sezon ende nuk është mbyllur formalisht dhe myzeqarët do të zbresin në fushë edhe 7 herë të tjera. 11 humbje rradhazi janë vërtetë shumë edhe për një skuadër pa objektiva dhe me fatin e shkruar, megjithatë një meritë nuk mund t’ia mohojë askush Lushnjës. Verdhëjeshilët në të gjitha ndeshjet nuk ka shfaqur asnjë shenjë dorëzimi me dashje, përkundrazi ka luftuar, por si i thonë një shprehjeje popullore “aq ka aq bën”. Dy sezonet e fundit kanë treguar që edhe skuadra të mbytura mund të dalin një moment mbi sipërfaqe për t’i prishur punë dikujt. Tërbuni më 2016-ën mposhti në Korçë Skënderbeun, megjithëse në fund bardhekuqte arritën ta fitonin titullin, ndërkohë që edicionin e kaluar Tirana i “qau” ato pikë të lëna kundër Korabit të perënduar. Në këto 7 javë të mbetura Lushnja do të përballet me dy skuadra që po luftojnë për mbijetesë, Kamzën e Teutën dhe në letër mund të konsiderohen 3 pikë të fituara për skuadrën e Ahmatajt dhe durrsakët, megjithatë historia ka treguar shpesh herë që pikët në letër mund të mbeten vetëm të tilla.

To Top