Kategoria Superiore

Luftëtari me stof europian, vendi i tretë më pranë

Vitin e kaluar Luftëtari u cilësua surpriza e Superiores dhe pikëpyetja ishte sidomos pas largimit të Milinkovicit, a do të arrinte kjo skuadër të ishte tashmë një realitet në futbollin shqiptar. Fillimi i sezonit ishte i vështirë, por tashmë që i afrohemi fundit, gjirokastritët e kanë Europën një realitet të prekshëm, ashtu siç janë shndërruar dhe vetë në një realitet.

Jo vetëm që janë të katërtit në renditje, por kanë vetëm një pikë më pak se Partizani, të cilin në fillim të majit do ta presin në shtëpi, ku mund të luajnë finalen e tyre për ëndrrën e madhe, të jenë të pranishëm në futbollin kontinental. Ndaj Laçit ekipi këtë herë shfaqi saktësinë e duhur përpara portës dhe në javët e fundit kanë ecurinë e një skuadre që e ka të qartë se ku do të mbërrijë. Këtë fundjavë mposhtën Laçin 2-1, ndërkohë pak javë më parë mundën dhe Kukësin me të njëjtin rezultat.

Nëse skuadra do të kishte patur shënjestrën e duhur dhe ndaj Teutës, tani do të flisnim për një Luftëtar që kishte marrë rrugën drejt Europës. Hasan Lika, duke mbajtur një profil të ulët e duke i marrë ndeshjet një e nga një arriti ta çonte skuadrën gjirokastrite deri në këtë pikë ku e sheh si një mundësi të vërtetë pjesëmarrjen në Europa League.

Për një ekip, që erdhi nga Kategoria e Parë dy sezone më pare, kjo nuk është pak. Luftëtari deri tani i ka shfrytëzuar pothuajse maksimalisht ndeshjet e rëndësishme, duke treguar se e ka stofin e duhur për të përfaqësuar Shqipërinë dhe në arenën ndërkombëtare dhe tani nevojitet sforcimi përfundimtar për ta bërë realitet këtë mundësi.

 

To Top