Vala Superliga

Llapi triumfon në Gjakovë, Liria ngjitet në vendin e 3-të

Janë luajtur sot 2 takimet e para të javës së 17, të Vala Superligës, në Kosovë dhe Llapi i Podujevës ka marrë një tjetër fitore, duke vijuar kryesimin e kampionatit.

Llapjanët morën fitoren e dytë brenda 3 ditëve dhe sërish në transfertë, ku pasi mposhtën Besën e Pejës të mërkurën, sot triumfuan me rezultatin 0-3 ndaj Vëllaznimit. Zhdrella në pjesën e parë dhe një dopietë e Berbatoviç në të dytën, i dhanë fitoren dhe 3 pikët Llapit, në transfertën gjakovare.

Një tjetër fitore në harkun e 3 ditëve, mori edhe Liria e Prizrenit, e drejtuar nga ish kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi. Prizrenasit mposhtën me rezultatin 3-0, miqtë nga Peja, Besën. Mustafa hapi serinë e golave që në minutën e 6’ për Lirinë, ndërsa Qëndrim Gashi shënoi një dopietë në minutat e 68’ dhe 85-të, duke vulosur suksesin me rezultatin 3-0.

Vala Superliga kryesohet nga LLapi i Podujevës me 33 pikë, i ndjekur nga Prishtina me 28 (1 takim më pak) dhe Liria e Prizrenit, që pas fitores së sotme barazoi me pikë kryeqytetasit.

To Top