Vala Superliga

Llapi luan ‘tenis’ në Pejë, fitojnë edhe Liria e Feronikeli

Llapi i Podujevës është rikthyer te fitoret, teksa ka mposhtur me goleadë pejanët e Besës. Llapjanët nuk e vunë për asnjë moment në diskutim fitoren dhe arritën të shënojnë plot 6 herë në portën e Besës, e cila nga ana e saj, gjeti vetëm një herë rrjetën e portës kundërshtare.

Një fitore mjaft të vlefshme mori edhe Liria e drejtuar nga Blendi Shkëmbi, që mposhti me rezultatin 2-0, Flamurtarin. Ndeshja u zgjidh në pjesën e dytë, me Gavazajn që zhbllokoi rezultatin në minutën e 60’, ndërsa në të 85-ën, skuadra nga Prizreni vulosi rezultatin dhe marrjen e 3-pikëshit, me golin e Korenicës.

Edhe Feronikeli nuk e diskutoi fitoren përballë Vllaznimit, duke arritur të shënojë plot 3 herë dhe të ruajë të paprekur portën e saj. 2 takimet e tjera, Drenica-Drita dhe Gjilani-Trepça 89, nuk prodhuan asnjë gol, duke bërë që skuadrat të marrin nga një pikë.

Takimi i fundit i javës së 16, të Vala Superligës, në Kosovë, luhet nesër mes Vllaznisë së Pozheranit dhe Prishtinës, ndërsa aktualisht renditja kryesohet nga Llapi me 30 pikë, i ndjekur nga Feronikeli dhe Drita me 26.

To Top