Ligue 1

PSG-ja vijon arratinë, surprizohen Lyoni dhe Monaco

Java e 15 e kampionatit francez të futbollit ka vijuar sot me takimet e tjera, që kanë prodhuar rezultate mjaft surprizuese. Kështu, skuadrat e vendit të dytë, Lyoni dhe Monaco kanë dalë ‘duarthatë’ këtë mbrëmje, teksa janë mposhtur konkretisht nag Lille dhe Nantes.

Lyoni ka ndërprerë serinë e rezultateve pozitive, teksa është surprizuar në shtëpi, nga Lille e Bielsës, që ka fituar 1-2 në një takim të vendosur që në pjesën e parë. Skuadra vendase ka humbur mundësinë për të barazuar në pjesën e dytë, teksa ka shpërdoruar një 11-metërsh, me anë të sulmuesit kryesor, Nabil Fekir.

Edhe Monaco nuk ka arritur të lërë pas humbjen me PSG-në të dielën, teksa sonte është dorëzuar sërish përballë Nantes së Ranierit. Skuadra e Jardim dominoi takimin, por nuk arriti të dërgonte topin në rrjetë, gjë të cilën e bënë vendasit, që shënuan në minutën e 93-të golin me vlerë 3-pikëshe.

Mario Balotelli u bë sërish protagonist te Nice, që sot mori një fitore mjaft të rëndësishme me përmbysje, ndaj Toulouses në transfertë. Sulmuesi italian barazoi rezultatin në minutën e 80’, ndërsa Srarfi shënoi golin e fitores, në minutën e parë shtesë.

Marseja nuk e diskutoi fitoren përballë skuadrës më të dobët të kampionatit, Metzit, duke triumfuar 0-3. Për Metz luajti gjatë gjithë lojës edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, që sot u aktivizua si sulmues i krahut të djathtë.

Në takimet e tjera, Rennes fitoi 1-2 në transfertë ndaj Angersit, ndërsa Guingamp dhe Montpellier ndanë nga një pikë, në barazimin pa gola, të arritur mes tyre.

Neymar dhe Cavani ishin sërish protagonistë të PSG-së, në fitoren 2-0 ndaj Troyes-it, në ‘Parc Des Princes’. Kryeqytetasit vuajtën të zhbllokojnë sfidën, teksa golin e parë e gjetën vetëm 17 minuta nga fundi me brazilianin Neymar, ndërsa Cavani dyfishoi shifrat në minutën e 90’.

Pas javës së 15, PSG-ja vijon të thellojë distancën me ndjekësit, pasi kryeson me 41 pikë dhe ndiqet nga Marseja me 31. Skuadra e Emery-së përfitoi edhe nga ndalesa e Lyonit dhe Monacos, të cilat humbën në sfidat respektive.

To Top