Kategoria Superiore

Laçi pa 3 titullarë në transfertën ndaj Lushnjës

Në letër mund të duket si ndeshja më e lehtë e sezonit, megjithatë te Laçi nuk i zënë besë Lushnjës. Mungesa më e vogël e impenjimit mund të kthehet në bumerang, në trasfertën në “Roza Haxhiu”, edhe sepse kurbinasit do të paraqiten në këtë sfidë me 3 mungesa të rëndësishme.

Duke nisur nga porta, ku Gentian Selmani vijon fazën e rehabilitimit nga një tërheqje muskulore dhe nuk do të jetë në dispozicion të ekipit. Pasi sakrifikoi duke luajtur i dëmtuar për 3 javë, portieri i Kombëtares Shpresa u detyrua të frenohej gjatë fundjavës së kaluar në suksesin ndaj Flamurtarit dhe nuk do të luajë as në Lushnjë.

I dëmtuar është edhe Maicon Esquerda. Braziliani vuan një lëndim në gju dhe po stërvitet nën kujdesin e mjekut të ekipit. Jashtë kontingjentit për ndeshjen në Lushnjë është edhe kapiteni Taulant Sefgjinaj, që pas kartonit të verdhë me Flamurtarin, është i skualifikuar.

Pavarësisht këtyre mungesave, me Shtubinën, Uzunin dhe Rexhinaldon në sulm, te Laçi janë optimistë për një sukses, me 3 pikët që do ta konsolidonin skuadrën e Mezanit në vendin e 3-të në renditje, aty ku Europa është më pranë.

To Top