Kosova

Kryeziu: Kemi shumë talent, tani të funksionojmë si grup

Mesfushori Hekuran Kryeziu foli gjithashtu për Supersport, teksa theksoi që e njeh trajneri Challandes ngase e ka pasur kundërshtar në Superligën e Zvicrës. Prioritet i zviceranit, sipas Kryeziut është përmirësimi i repartit mbrojtës.

Tani një trajner zviceran, nuk do të keni probleme me gjuhën…
Kryeziu: Edhe me trajnerin e parë te Kosova, nuk kam pasur probleme me gjuhën. Challandes flet 3 gjuhë dhe shpresoj të mësojë edhe shqipen pak. Nuk kam bashkëpunuar me të, por e kam njohur si kundërshtar në Superligën e Zvicrës.

A mendoni se është trajneri i duhur?
Kryeziu: Ajo do të shihet në vijim, por besoj që ka sjellë tashmë idetë e tij. Është njeri shumë emocionues dhe ndoshta mund të ‘ndezë zjarrin’ te Përfaqësuesja jonë. E dimë që kemi shumë talent dhe potencial, por kryesorja është të funksionojmë si grup, pasi në të kundërt do të kalojmë kohë të vështira.

Ka shumë pak stërvitje me trajnerin e ri, por a ka diçka të veçantë që ka sjellë ai?
Kryeziu: Stabilizimi i mbrojtjes është objektivi kryesor i tij. Challandes ka analizuar me detaje gabimet tona gjatë eliminatoreve të Botërorit dhe po punojmë pikërisht për t’i ndrequr ato.

To Top