Kombetare

Kombëtarja e femrave, dy miqësore në Bullgari

Dy miqësore për të testuar elementet e reja në Kombëtaren e Femrave. Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të zhvillojë dy ndeshje testuese me përfaqësuesen e femrave të Bullgarisë.

Ndeshjet do të zhvillohen në datat 9 dhe 12 dhjetor në Qendrën Kombëtare të Futbollit, në rrethinat e kryeqytetit, Sofje. Kombëtarja shqiptare e femrave do të jetë një skuadër thuajse e gjitha eksperimentale, me lojtare që kryesisht luajnë në kampionatin vendas.

Përjashtimet janë portierja Meriem Isa dhe mbrojtësja Blerina Morina, që aktivizohen në Suedi, mbrojtësja Sara Gila, e cila militon me Interin në Itali, por edhe mbrojtësja e Hajvalisë Arbenita Curraj, e cila prej kohësh është bërë pjesë e skuadrës.

Në total trajneri Grima ka grumbulluar 20 futbolliste, mes të cilave edhe disa lojtare titullare të përfaqësueses si Cyme Lulaj, Esmeralda Franja e Megi Doçi, por edhe kapitenen e përfaqësueses së 19-vjeçareve, Uendi Muja.

Miqësoret do t’i shërbejnë trajnerit për të zgjeruar bazën e përfaqësueses së femrave, me ndeshjet kualifikuese të botërorit që do të vazhdojnë me sfidën ndaj Polonisë në Prill të 2018-ës. Pas pesë ndeshjeve kualifikuese të luajtura në Grupin B, vajzat kuqezi janë ende në kërkim të fitores së parë.

To Top