Kategoria Superiore

Klevis Dalipi: Suksesi im te Partizani, edhe i Starovës

Trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, doli para mediave në konferencën e radhës për shtyp parandeshjes me Vllazninë. Ish-zëvendësi i Starovës, tashmë me rolin e njeriut kryesor të pankinës, u shpreh i bindur se të kuqtë kanë potencial për të kapur zonën Europiane. I pyetur për faktin se Starova ndihet fyer nga mënyra sesi u largua nga Partizani, Dalipi tha se suksesi i tij do të jetë edhe i Starovës.

Si e keni përgatitur sfidën ndaj Vllaznisë dhe s do ia dilni ta mposhtni duke parë nevojën e tyre për pikë?

Ne e dimë shumë mirë që Vllaznia ka pasur ngritje në lojën e saj, edhe më shumë nga përforcimet e janarit, duke afruar një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit shqiptar, Sukajn. E dimë shkallën e vështirësisë dhe do jetë një ndeshje që brenda 90 minutave do të ketë shumë episode, por shpresojmë që episodet e mira të jenë për ne. Vllaznia është skuadër që lufton për mbijetesë i ka jetike pikët, por ne kemi objektivin tonë, për rezultatin madhor: Të fitojmë. Më pas se si do përfundojë takimi e di Zoti!

Fitorja do të ishte  dhuratë për ju?

Nuk e kisha parashikuar që do të emërohesha dy ditë para ditëlindjes. Do të ishte kënaqësi, por dëshira ime është që të bëj sa më mirë dhe skuadra të eci përapara dhe të arrijë objektivat.

Keni përballë një prej mbrojtjeve më të mira. Si do ta interpretojë lojën ekipi juaj?

Statistikat janë të drejta, por ka edhe një gjë tjetër që u kundërpërgjigjet atyre. Vijmë nga një ndeshje shumë e mirë. Fituam ndaj një ekip që kishte 11 javë pa u mundur dhe realizuam tre gola me plot meritë, duke prodhuar edhe lojë. Shpresoj që lojtarët të shprehen sa më mirë dhe impenjimi të jetë i njëjtë si me Luftëtarin. Kam besim te lojtarët e mi, kam kohë që punoj me ta dhe e di çfarë mund të japin më tepër për skuadrën.  I referohem aspektit të sulmit dhe ky repart të bëjë atë që di të bëjë më mirë.

Partizani nuk pësoi me Luftëtarin, që ka sulm me kualitet, a ju bën kjo që të konfirmoni të njëjtën mënyrë loje?

Skuadra nuk do të ketë ndryshime. E nis ai ekip që luajti me Luftëtarin. Kemi stol të pasur, kemi vështirësi për të zgjedhur 18 lojtarët e jo më për ata që do luajnë në pjesë të dytë. Lojtarët e gatshëm do të japin maksimumin, siç bënë ndeshjen e fundit. Dihet emri i Çanit, apo i Abdurrahmanit, Kalarit, Culum, Sulejmani, që formojnë gjithë skuadrën. E rëndësishme është të funksionoje dyshja Batha-Mala, që janë frymëmarrja e skuadrës. Me Luftëtarin kanë bërë një ndeshje të mrekullueshme.

Kur do yë luajnë me minuta të plota Fejzullahu apo Çani?

Fejzullahu është në fazë riaftësimi, nuk është akoma gati për ndeshje. Do të luajë me skuadrën B ku do të marrë disa minuta. Më pas do shohim në të ardhmen se si do të shkojë. Po stërvitet mirë, por akoma nuk është në gjendjen e tij më të mirë.

Zona europiane është një pikë larg, a besoni se mund t’ia dilni?

Prandaj e pranova këtë ftesë të presidentit, pasi skuadra ka shumë për të dhënë. Gjithçka është në dorën tonë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Duhet të bëjmë maksimumin ta arrijmë, për të shpëtuar sezonin.

Ndaj Luftëtarit keni bërë presing lart, mendoni se mund ta bëni të njëjtën gjë edhe ndaj Vllaznisë?

 

Është një ndeshje krejt tjetër sepse është një transfertë. Fusha e Vllaznisë ta jep mundësinë të bësh një gjë të tillë. Do e shohim gjatë ndeshjes. Do të luajmë në sulm për t’i imponuar kundërshtarit lojën tonë.

Drejtori Rama ka thënë se ju kanë zgjedhur në krye të stolit për të ndryshuar mënyrën e stërvitjes së skuadrës. Çfarë do ndryshojë te Partizani?

Kur kemi punuar me Starovën kemi pasur një mendim me të. Unë kam mendimet e mia dhe duhet kohë, nuk mund të realizohet sot për nesër.  Do të shikoni në vazhdim një ekip që do të reagojë ndryshe, sidomos në repartin e sulmit.

Starova është shprehur se ndihet i fyer që i keni zënë vedin…

Jo, nuk e ka thënë kështu. E keni kuptuar gabim. Mos ka thënë diçka tjetër. Unë nuk e kam dëgjuar. Do të thosha që për profesor Starovën, është kënaqësi që ka lënë një person që ka punuar prej vitesh dhe ndërrimi ishte brenda familjes. Edhe idetë e tij që i kam marrë do t’i hedh në praktikë. Suksesi nëse është i imi, do jetë edhe i atij, pasi kemi punuar shumë vite bashkë.

Shkoni në Shkodër me një status tjetër, ku keni luajtur si lojtar, tani si trajner. Si ndiheni?

Është kënaqësi e veçantë. Është një ambient që e dashuron futbollin. Kam kaluar një vit të mrekullueshëm si lojtar. Tani do të jemi kundërshtarë. Uroj që lojtarët të bëjnë atë që u është kërkuar. Impenjimin nuk e vë në diskutim që do të jetë maksimal.

Gjeni dy “ish”-lojtarë të Partizanit, Sukajn dhe Malotën…

E thashë edhe në fillim, që kanë bërë blerje të mira, siç është Sukaj dhe Malota, i cili ka plotësuar një boshllëk në mbrojtjen e tyre. I kemi marrë parasysh vështirësitë dhe shkojmë me besim në Shkodër për të fituar.

 

To Top