Kategoria Superiore

Këpuca e Artë, Guri-Sowe nisin sprintin final

Kur kanë mbetur edhe 3 javë deri në fund të kampionatit, gara për Këpucën e Artë duket të jetë midis Sindrit Gurit dhe Ali Sowe. Të dy sulmuesit kanë pasur një ritëm të jashtëzakonshëm në javët e fundit dhe 270 minuta përpara mbylljes së kampionatit, ndajnë vendin e parë me nga 19 gola.

Shkodrani vjen pas dy realizimeve në transfertën e “Niko Dovanës”, por që nuk e ndihmuan Kukësin të shmangë humbjen me Teutën, ndërkohë që Sowe shënoi 3 herë në portën e Bejtes, për të përmbysur disavantazhin 2-0, në 2-4 ndaj Lushnjës.

Lojtari më i lakuar i momentit po vijon të shënojë rregullisht, pasi në 5 javët e fundit ka realizuar plot 7 gola, ndërkohë që në mes qëndron shterpësia në transfertën kurbinase me Laçin.

Për herë të 3-të këtë edicion, Guri shënoi dy gola në një ndeshje, teksa ka edhe një tregolësh ndaj Partizanit. Pothuajse me të njëjtin ritëm ka ecur edhe sulmuesi nga Gambia, Ali Sowe.

Në transfertën e “Roza Haxhiut”, 24-vjeçari mori topin me vete, pas tre golave në portën e Bejtes, ndërsa këtë edicion ka edhe 4 dygolësha, një më shumë se rivali i tij.

Kalendari i 3 javëve të mbetura nuk është i lehtë për të dyja ekipet, si për Skënderbeun, ashtu edhe për Kukësin, për më tepër që objektivat tashmë duket se janë arritur.

Ish kampionët do të mjaftohen me një barazim këtë fundjavë me Luftëtarin, për të siguruar matematikisht vendin e dytë, por skuadrat janë të karikuara të ndihmojnë sulmuesit e tyre në garën për Këpucën e Artë.

To Top