Futboll

Karabeci për ‘Zona Gol’: Larguam një makth, Ze Maria është shumë i aftë

Pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë, Tirana arriti të sigurojë të shtunën rikthimin në Superiore, ndonëse 3 javë nga fundi i kampionatit. Për të folur mbi këtë, por edhe për planet mbi sezonin e ardhshëm, kapiteni i bardhebluve, Erando Karabeci ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport.

Zona Gol: Sa i kënaqur jeni me arritjen e objektivit, 3 javë nga fundi i sezonit?
Erando Karabeci: Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që ia arritëm qëllimit, të rikthehemi menjëherë në Kategorinë Superiore. Tani duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë makth dhe të mendojmë për rikthimin, pasi do të synojmë të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze, që i shkon për shtat fanellës së Tiranës.

Zona Gol: Si e shikoni garën për titull, por edhe atë për zonën Champions në Serinë A?
Erando Karabeci: Serinë A e ndjek, pasi brezi im është rritur me kampionatin italian, në kohën kur luanin yje si Ronaldo, Del Piero etj. Sa i përket titullit kampion, besoj se Juvja do të fitojë edhe këtë sezon, pasi është konsoliduar në krye dhe nuk besoj se do gabojë. Në garën për Champions besoj se gara do të jetë edhe më e fortë. Unë shpresoj që njëra prej skuadrave të jetë Interi, pasi jam tifoz me zikaltrit, por shoh se skuadrat romane janë disi më të avantazhuara, të paktën në bazë të asaj që po japin në fushën e lojës.

Zona Gol: E keni nisur karrierën te Partizani. Në Shqipëri jeni me Tiranën apo me Partizanin?
Erando Karabeci: Është e vërtetë që e kam nisur karrierën me Partizanin, ku kam luajtur për rreth dy sezone, por te Tirana po luaj sezonin tim të 9 dhe më duhet ta pranoj se jam tifoz bardheblu.

Zona Gol: Si e shikoni garën 3-she për mbijetesë, mes Kamzës, Vllaznisë dhe Teutës?
Erando Karabeci: Me aq sa kam pasur mundësi ta ndjek, mendoj se do të jetë një luftë shumë e fortë, deri në javën e fundit. Më habit fakti që u fut edhe Kamza në këtë valle, pasi deri para disa javësh ishte në garë për një vend në Europë. Me aq sa i kam ndjekur, mendoj se kanë pasur një ekip shumë të mirë dhe që luanin pëlqyeshëm. Ndeshjet këtu kanë një trysni shumë të madhe dhe futbollistët nuk shprehen dot në maksimum, pasi vetë presioni i rënies, ndikon në lojën e tyre.

Zona Gol: Një koment për ecurinë e Kukësit dhe Partizanit…
Erando Karabeci: Mund të flas më shumë për Kukësin, sepse e njoh disi më shumë, kjo ngaqë jemi përballur dy herë kundër tyre. Unë besoj se ata kanë një rritje kohët e fundit, por kur janë ndeshur me ne, nuk kanë treguar shumë nivel të lartë loje. Mendoj se në dy ndeshjet kundër tyre, ne kemi qenë dominues, po mendoj se kanë lojtarë që bëjnë diferencën në Superiore, sepse fillimisht ishte Bakaj dhe tashmë është bërë protagonist Guri. Personalisht mendoj se ai sulmues do të ecë shumë përpara, sepse është një nga lojtarët më të talentuar të Superligës. Sa i përket titullit, mendoj se Skënderbeu jo vetëm që do ta fitojë këtë sezon, por mund të them se e meriton tërësisht, pasi dominon shumicën e ndeshjeve në Superiore. Partizanin nuk e kam ndjekur në asnjë takim këtë sezon, por mua më duket se grupi i të kuqve është shumë i plotë dhe skuadra i ka të gjitha mundësitë të bëjë mirë ndaj çdo kundërshtari.

Zona Gol: Çfarë duhet të ndryshojë Tirana tani, për të mos u kthyer më në Kategorinë e Parë? A mendoni se po fillon një projekt i ri?
Erando Karabeci: Është pak herët për të menduar për projektet e ardhshme, pasi ne kemi ende edhe 4 ndeshje, para se të mbyllim sezonin në Kategorinë e Parë. Gjithsesi, për të qenë i sinqertë, për të garuar ashtu siç duhet në Superiore, duhen edhe disa afrime cilësore, pasi nuk është e njëjta gjë me Kategorinë e Parë. Gjithsesi, unë besoj se me merkaton e duhur dhe me një ekip konkurrues, do të jemi në gjendje të bëjmë më të mirën.

Zona Gol: A do të vijojë Ze Maria në krye të Tiranës, edhe për sezonin e ardhshëm?
Erando Karabeci: Nuk e di, pasi nuk më takon mua të flas për këtë. Ai do të ulet me presidentin dhe do të diskutojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët, pasi si trajneri, edhe presidenti kanë pretendimet e tyre për të vijuar bashkëpunimin. Nga ana ime personale, por edhe e djemve të skuadrës, do të donim të vijonim, pasi kemi një bashkëpunim mjaft të mirë me të. Ze Maria është një trajner shumë I aftë, por edhe shumë me eksperiencë, ndaj do të donim të vazhdonim, pasi ai mund ta drejtojë Tiranën drejt sukseseve. Gjithsesi varet edhe nga pretendimet e tij dhe sa I gatshëm është presidenti që t’ia plotësojë.

Zona Gol: Çfarë ndodhi pas ndeshjes së djeshme, pasi Ze Maria u largua menjëherë pas takimit?
Erando Karabeci: Nuk pati asnjë problem, por ishte pak i mërzitur për mënyrën se si i morëm golat. Ishte pak i irrituar edhe në dhomat e zhveshjes, pak edhe me Hoxhallarin, por nuk ka asnjë gjë më tepër sesa shkaqe sportive, në lidhje me sjelljen tonë në fushë.

Zona Gol: Cilin lojtar nga Superliga do t’i sugjeroje presidentit Halili?
Erando Karabeci: Unë do të doja të kishim në ekip një sulmues si Guri, jo vetëm prej cilësive, por edhe për moshën, pasi është shumë o ri dhe ka të ardhme të ndritur.

To Top