Kupa e Italise

Juventus apo Milan, Ancelotti tregon preferencën

Juventusi është skuadra e parë e madhe që ka drejtuar Carlo Ancelotti, por më pas kaloi te Milani, ku edhe arriti suksese të jashtëzakonshme, mes të cilëve edhe triumfi në Champions League.

Të mërkurën në mbrëmje këto dy klube do të përballen në ‘Olimpico’, për të diskutuar trofeun e Kupës së Italisë dhe Ancelotti nuk ngurron të tregojë preferencën e tij për këtë sfidë.

“Finalen e të mërkurës do ta shoh me bluzën e Milanit. Kam shumë besim te Gattuso dhe kuqezinjtë, që do të dinë të luajnë një ndeshje të denjë për një finale. Juventus është shumë më lart në aspektin kualitativ dhe mund të imponojë lojën e saj, por mendoj se do të jetë një ndeshje e ekuilibruar”, tha Ancelotti.

Tekniku italian është i papunë, që prej Tetorit të vitit të kaluar, kur u shkarkua nga gjermanët e Bayern Munchen, por vetë Ancelotti nuk e përjashton mundësinë të rikthehet në Itali për të stërvitur.

“Të rikthehem të stërvit në Itali? Pse jo. Nëse do të vijë një mundësi interesante, por nuk besoj se do të ndryshonin kaq shumë gjëra në pak kohë. Realisht po mendoj të qëndroj akoma pushim, pasi nuk shoh në horizont ndonjë projekt interesant ku mund të punoj”, tha ish trajneri i Bayernit.

Emri i Carlo Ancelottit u lidh edhe me mundësinë e drejtimit të kombëtares italiane, por në fund akordi dështoi, pasi vetë trajneri refuzoi të ulet në stolin e axurrëve.

“Mancini është një trajner i shkëlqyer dhe mund të them se Italia do të jetë në duar të sigurta. Unë zgjodha të mos marr drejtimin e kombëtares, pasi preferoj të punoj akoma me klube”, u shpreh Ancelotti.

To Top