Boks

Joshua-Parker, dueli i unifikimit të brezave më 31 Mars

Përcaktohet ndeshja e ardhshme e kampionit në fuqi të botës në peshat e rënda, Anthony Joshua. Pengesa e radhës për unifikimin e brezave për 28-vjeçarin britanik do të jetë boksieri nga Zelanda e Re, Joseph Parker. Joshua për momentin është kampion në Federatat IBF dhe WBA, ndërsa boksieri me origjinë nga Ishujt Samoa mban brezin në versionin WBO që nga dhjetori i vitit 2016. Takimi ndërmjet tyre do të mbahet në Cardiff, në “Principality Stadium”, në një ndeshje me 12 raunde, që do të zhvillohet ditën e fundit të muajit mars. Pikërisht në Kardif dhe madje po në të njëjtin stadium, tetorin e kaluar Anthony Joshua mbrojti me sukses dy titujt e tij ndaj veteranit franko – kamerunas Carlos Takam, sidoqoftë menjëherë pas marrëveshjes ndërmjet dy palëve promotori i boksierit britanik, Eddie Hearn, u shfaq tepër i kënaqur dhe krenar për organizimin e një dueli të tillë. Në fakt ndeshja e 31 marsit shënon rastin e parë në histori kur dy boksierë që mbajnë titujt botërorë në peshat e rënda të zgjedhin si vend për të unifikuar brezat pikërisht Britaninë e Madhe. Vetë boksieri me origjinë nigeriane shprehu respektin e tij për stafin e 26-vjeçarit zelandez, për pranimin e sfidës dhe Joshua, që numëron 20 fitore në 20 ndeshjet e zhvilluara, të mbyllura që të gjitha përpara kohe me “knock out”, deklaroi se do ta vlerësojë në maksimum kundërshtarin e radhës Joseph Parker, duke filluar menjëherë përgatitjet. Përfaqësuesi i kampionit të botës në Federatën WBO, David Higgins, ishte në Mbretërinë e Bashkuar që prej javës së kaluar, në kërkim të marrëveshjes përfundimtare. Që muajin e kaluar u ra dakord për organizimin e ndeshjes, por palët patën mosmarrëveshje në lidhje me shpërndarjen e përfitimeve, gjithsesi, më në fund, edhe ky ngërç u zgjidh dhe boksieri nga Zelanda e Re do të arkëtojë 30-35% të shumës përfundimtare që do të sigurohet nga ky takim. Joshua u bë kampion i peshave të rënda në versionin IBF në prillin e vitit 2016 në “O2 Arena të Londrës” në duelin me amerikanin Charles Martin, ndërsa një vit më pas, boksieri britanik i shtoi vetes gjithashtu edhe brezin në Federatën WBA, në një ndeshje tepër emocionuese përpara 90.000 spektatorëve në “Wembley”, përballë boksierit legjendar ukrainas Wladimir Klitschko. Joseph Parker nuk njeh ende humbje dhe boksieri zelandez, që është vetëm 5 cm më i shkurtër sesa Joshua, i ka fituar 24 ndeshjet e zhvilluara, 17 prej të cilave me “knock out”, sidoqoftë një gjë është e sigurtë, cilido boksier që do të fitojë duelin e 31 Marsit, do të fitojë më pas të drejtën për të unifikuar që të katër titujt, diëka e paprecedentë në gjithë historinë e boksit përsa u përket peshave të rënda, duke sfiduar 32-vjeëarin nga Shtetet e Bashkuara Deontay Wilder, që mban brezin e katërt në peshat e rënda, atë të WBC, edhe ky pa asnjë humbje e me plot 39 fitore në 39 ndeshjet e zhvilluara.

To Top