Kategoria Superiore

Ja cilat janë 5 shitjet e bujshme të Skënderbeut

Kalimi i Kristal Abazajt te Anderlecht, është një tregues i qartë se niveli i kampionatit shqiptar është rritur ndjeshëm pasi tashmë edhe futbollistët e Superiores mund të bëjnë hapin e madh në karrierë duke u transferuar menjëherë në klube të mëdha europiane. Gjithçka është meritë e Skënderbeut që ka ndryshuar trendin e merkatos në Shqipëri dhe tanimë lojtarët e rëndësishëm të kampionatit shqiptar nuk largohen për shifra mediokër ose me parametra zerom jashtë vendit. Por cilat janë 5 shitjet e bujshme të Skënderbeut në këto dy vite e gjysmë.

1. Piter Olayinka ishte i pari futbollist që u largua nga Kategoria Superiore për një shifër rekord pasi nga transferimi i tij te Gent, korçarët përfituan rreth 1,1 milionë euro.

2.Vetëm disa ditë pas largimit të Olayinkas, Skëndërbeu shiti në Rusi një tjetër lojtar të spikatur, Bernard Berishën për rreth 600 mijë euro te Anzhi në Premier Leaguen ruse.

3.Agim Zeka ishte i treti i larguar. Edhe pse talenti i kombëtares Shpresa kishte luajtur fare pak me bardhekuqtë, falë dyshes Haris Fakic-Shkumbin Qormemeti, Zeka u transferua te Lille në Francë për 300 mijë euro.

4.Në verë menjëherë pasi siguruan kualifikimin në grupet e Europa League duke kaluar 4 ture dhe duke bërë historinë, korçarët u privuan nga shërbimet e Liridon Latifit i cili u transferua në Hungari te skuadra e Puskas Akademia. Nga shitja e Latifit, Skënderbeu përfitoi 1 milionë euro.

5.Kristal Abazaj ishte i fundit lojtar që la Skënderbeun për të kaluar në një klub të rëndësishëm europian. Edhe pse nuk u aktivizua aspak te korçarët, bardhekuqtë përfituan 750 mijë euro nga shitja e një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Abazaj nuk është shitja më e shtrenjtë e Skënderbeut kjo edhe për faktin se bardhekuqtë nuk kontribuan aspak në rritjen e tij si futbollist, megjithatë është ndoshta shitja më e bujshme e Skënderbeut pasi duket e pabesueshme kur e mendon që një lojtar që në 2 sezonet e fundit ka luajtur për një skuadër modeste si Luftëtari dhe që prej sezonit të ardhshëm do të mbajë veshur fanellën e gjigandëve belgë të Anderlecht.

 

To Top