Kategoria Superiore

Iuliano: Edhe barazimi, dështim për Partizanin

Me Partizanin që u zhbllokua duke regjistruar fitoren e parë dhe golat e parë të këtij sezoni në Durrës, të kuqtë synojnë të vijojnë ecurinë pozitive. Kundërshtari i radhës është Luftëtari, skuadër që duket larg paraqitjeve të edicionit të kaluar dhe mbi të gjitha në krizë.

Nga pezullimet e portierit Miraka dhe sulmuesit Nunes, për të vazhduar me situatën e trajnerit Daniel Fernandez, me uruguaianin që përflitet si i larguar, ndërsa klubi ende nuk e ka konfirmuar ndarjen. Përpos problemeve të gjirokastritëve, Mark Iuliano shfaqet i kujdesshëm përballë shkallës së vështirësisë që rezervon sfida.

“Na pret një tjetër ndeshje delikate dhe e rëndësishme, por vijmë me disa siguri pas fitores së arritur. Të gjitha skuadrat me të cilat përballemi janë të uritura, së pari sepse luajnë ndaj Partizanit, ndërsa në rastin e Luftëtarit, edhe sepse ata kanë pasur disa probleme të brendshme. I kemi studiuar kundërshtarët, janë një ekip që ka lojtarë mjaft të mirë, mbi të gjitha në repartin sulmues, me dy lojtarët e krahut dhe organizatorin Rroca. Partizani duhet të bëjë një lojë agresive dhe që ti japë stimuj lojtarëve që të luajnë në sulm”, u shpreh Iuliano.

Ndryshimet në formacion nuk do të mungojnë, nga Bardhi që pritet të aktivizohet titullar në vend të La Kameras së pezulluar, për të vijuar me Malotën, që do të marrë një fanellë titullari për herë të parë në këtë sezon. Sipas Iulianos, e rëndësishme është që skuadra kaloi ngërçin psikologjik.

“Fitorja është gjithmonë e rëndësishme. E kemi kërkuar, i kemi shkuar pranë edhe pse kemi pësuar dy humbje. Kemi kërkuar gjithmonë pikët e plota, por, tani që fituam dhe shënuan, shpresoj që djemtë të jenë zhbllokuar, të mos kenë më ankthin e lojës së mirë dhe që të shkojnë pa frikë përpara portës dhe ti shfrytëzojnë rastet e krijuara”, tha italiani i Partizanit.

Trajneri i të kuqve tha se barazimi përballë Luftëtarit do të cilësohej një dështim, mbi të gjitha për faktin se te Partizani kërkohet vetëm fitorja.

“Për ne çdo barazim cilësohet dështim, kjo vlen edhe për ndeshjen me Luftëtarin. Kështu ndodhi edhe ndaj Kukësit dhe me Lushnjen. Ky është një ambient që kërkon gjithmonë të fitojë dhe ne punojmë gjithmonë për të marrë tre pikët. Nuk luaj asnjëherë për ta mbyllur një ndeshje në barazim. Do të hedhim armët më të mira që kemi në dispozicion për të fituar, por në këtë kampionat analizat do ti bëjmë ndeshje pas ndeshje”, mbylli trajneri i Partizanit.

To Top