Futboll

Ilir Daja: Luajmë vetëm për fitore

Ilir Daja është optimist dhe beson verbërisht te kualifikimi i Skënderbeut në play-offin e Europa League. Pavarsisht humbjes 2-1 në ndeshjen e parë në transfertë ndaj cekëve të Mlada Boleslav, trajneri i korcarëve është i sigurtë se në Elbasan Arena skuadra që ai drejton do të bëjë një figurë shumë herë më të mirë këtë të Enjte për të tentuar kualifikimin.

” Nuk ka shumë rëndësi sesi vendosen lojtarët në fushën e lojës, ne në ndeshjen e parë nuk jemi vendosur shumë mirë në fushë. Por kemi marrë masat, për sfidën e kthimit e kemi përgatitur më mirë këtë ndeshje dhe do të bëjmë gjithcka për të arritur kualifikimin”.

Më pas Daja bëri një krahasim mes Kairat Almaty-it dhe Mlada Boleslav duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për dy skuadra të një niveli shumë të lartë.

” Të dyja ekipet kanë karaktersitikat e tyre, por ndryshe nga Kairati, Mlada luan më shumë në grup. Me Kairatin arritëm të kualifikoheshim, të njëjtën gjë do të kërkojmë të bëjmë dhe me Mladën”.

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve do të jenë një minus i madh për ceket dhe ky fakt sipas Dajës është pozitiv për Skënderbeun, sepse edhe korcarët i vuajtën kushtet klimaterike një javë më parë. Edhe pse ndeshja nuk luhet në Korcë trajneri beson se tifozët do të jenë të shumtë për të mbështetur Skënderbeun në Elbasan, ndërkohë që rikthimi i Lilaj dhe i Xhejms është shumë pozitiv për bardhekuqtë.

“Rikthimet e Lilajt dhe Xhejms janë një bonus për ekipin edhe për faktin se do të kemi më shumë alternativa dhe skuadra do të jetë më e plotë, pasi edhe stoli i rezervave do të jetë më i kompletuar. Nuk mund ti them pikat e dobta të kundërshtarin, do ti shohim gjatë ndeshjes”.

Pas ndeshjes së parë në Ceki të cilin Skënderbeu e humbi me shifrat 2-1, presidenti Ardian Takaj përdori tonet e ashpra në drejtim të skuadrës pasi sipas tij ai ndaj Mladës nuk ishte Skënderbeu i vërtetë. Por edhe pse nuk kërkon të replikojë me numrin 1 të korcarëve, Daja thekson se ashtu si në fitore edhe në humbje të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre.

“Nuk është mirë të merrem me replika me presidentin, por kur fiton ekipi merita është e të gjithëve bashkë dhe kur humbet ekipi , duhet të jetë po e njëjta gjë, pra të gjithë të marrim përgjegjësitë që na takojnë. Kur skuadra humbet është me e lehtë që përgjegjësitë të kalojnë mbi trajnerin, por ne do të përpiqemi të fitojmë në këtë sfidë të kthimit, për të kënaqur edhe presidentin”.

Sabien Lilaj është i rikthyeri i madh i Skënderbeut në sfidën e kthimit ndaj Mladës pasi ka shlyer pezullimin për kartonin e kuq që mori në sfidën ndaj Kairat-it. Edhe mesfushori beson te kualifikimi ndërkohë që kërkon të shënojë një tjetër gol në Europë me korcarët pasi atij ndaj Kairat Almaty-it.

” E kemi studiuar kundërshtarin, është një ekip që ka grupin shumë të fortë do të vlerësoja numrin 8 të tyre por duke e parë ndeshjen nga jashtë nuk mund të flas me shumë siguri. Kur shënon është gjithmonë një emocion i vecantë dhe unë kam gjithmonë dëshirë të shënoj dhe të ndihmoj ekipin”.

Sipas Lilajt shanset e kualifikimit janë 50 me 50, edhe pse cekët kanë fituar 2-1 në ndeshjen e parë.

” Shanset janë të barabarta për të kaluar ruandin dhe të dyja ekipet i kanë mundësitë për të avancuar më tej. Gjatë këtyre ditëve jemi stërvitur fort dhe kemi marrë mbështetjen e tifozëve që stadiumi do të jetë plotë. Fakti që kemi shënuar në fushë kundërshtare është pozitiv për ne por duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm”.

To Top