Boks

Haxhi Krasniqi rikthehet në ring, me objektiv fitoren

Pothuajse 10 muaj pas humbjes me gjermanin Arthur Abraham boksieri kosovar Haxhi Krasniqi do të zbresë në ring për t’u ndeshur me polakun Bartlomiej Grafka. Disfata e 22 prillit në Erfurt, ku Robin Krasniqi emri me të cilin 30-vjecari nga Juniku njihet më së shumti, u mund me vendim unanim mga veterani me origjinë armene, është hedhur pas krahëve prej kohësh. Tani është koha për t’u ringritur dhe për të fituar pozicione në klasifikimin e përgjithshëm, kështuqë Haxhi Krasniqi ka në mendje vetëm fitoren. Sportisti kosovar që bokson për Gjermaninë, vendin ku familja e tij u zhvendos gjatë Luftës së Kosovës është përgatitur më së miri për duelin me Bartlomiej Grafkën, kundërshtarin e tij të radhës, që në Poloni renditet i pesti për nga rëndësia në peshën e mesme dhe që ka humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit. Në fakt ky duel këtë radhë është i vlefshëm për peshën super të mesme, pra deri në 76 kilogram dhe me vetëm 8 raunde gjithsej. Haxhi Krasniqi nuk pritet të ketë probleme ndaj një kundërshtari si Grafka, që ka fituar vetëm 20 nga 50 ndeshjet e zhvilluara.

Në karrierën e tij si boksier profesionist 29-vjecari nga Katowice ka fituar vetëm 9 ndeshje me knock out gjithsej, ndërsa pjesa tjetër plotësohet me tre barazime dhe plot 27 humbje, 5 prej të cilave përpara kohe. Robin Krasniqi që aktualisht jeton në Mynih në krahun tjetër ka një bilanc prej 46 fitoresh, 17 prej tyre me knock out si dhe 5 humbje, dy prej të cilave në sfida të famshme dhe tepër të rëndësishme në karrierën e boksierit nga Juniku, pasi i përkasin dueleve për titull në peshën deri 79 kg, në Federatën WBO në prill të vitit 2013 në Londër me uellsianin Nathan Cleverly dhe dy vjet më vonë në versionin WBA në Rostok me gjermanin Jurgen Brahmer.

Dueli kryesor i të shtunës do të jetë takimi Tom Schwarz – Samir Nebo, i vlefshëm për titullin gjerman në peshën e rëndë, sidoqoftë po këtë mbrëmje në të njëjtin event do të ngjiten në ring gjithashtu edhe dy boksierë të tjerë me origjinë shqiptare. Po për peshën 76 kg fillimisht do të boksojë Elvis Hetemi, që i ka fituar që të nënta ndeshjet në karrierën e tij në boksin profesionist, që do të masë forcat me Stanislav Eschner, ndërkaq në takimin e parafundit të mbrëmjes Juergen Uldedaj që ka fituar 7 nga 7 ndeshjet e zhvilluara do të duelojë me cekun Jakub Synek, edhe ky pa disfatë, në një takim të vlefshëm për peshën cruiser, pra deri 90,7 kg. Promoter i takimit Robin Krasniqi – Bartlomiej Grafka është Ulf Steinforth, ndërkaq mbrëmja përmban plot tetë ndeshje gjithsej, me takimet që do të mbahen në Gjermani në Erdgas Arena, Halle an der Saale, në Sachsen – Anhalt, aktivitet që gjithsesi të gjithë të apasionuarit do të kenë mundësi për ta ndjekur në Supersport, duke filluar që nga ora 20:00.

To Top