Kombetare

Grezda për Supersport: Shqipëria krenari, e ardhmja ime për dy javë

Thirrja e Kombëtares është tepër e madhe. Ashtu si ka ndodhur gjithmonë me lojtarët kuqezi, edhe Eros Grezda vendosi dëshirën dhe përgjegjësinë përpara shëndetit, duke luajtur i dëmtuar në miqësoren e fundit me Norvegjinë. Nga ai moment, siç tregon për Supersport, nisi kalvari i dëmtimit që e mbajti gjatë jashtë fushave të lojës, por tashmë gjithçka ka kaluar.

“Që nga momenti i dëmtimit, në total rikuperimi im shkoi 40 ditë. Kam luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe shpresoj të rikthehem në formën më të mirë”, deklaroi sulmuesi gjakovar.

Për Grezdën, Shqipëria mbetet kryefjala, me sulmuesin gjakovar që po punon shumë të jetë gati për miqësoret e programuara në fund të muajit maj dhe në fillim të Qershorit.

“Vërtetë gjithmonë pres me padurim që të vesh fanellën e Kombëtares. Po punoj që të kthehem në formë për miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës”, u shpreh Grezda.

Edhe në ato ndeshje, 23-vjeçari pritet të jetë një prej shtyllave të ekipit kuqezi, sepse ashtu siç ndodh edhe te Osijeku, ku pavarësisht formës jo optimale fizike, ai mbetet lojtari më i mirë në fushë.

“Kur bëj 2-3 herë sprinte, ndjej pak probleme, por me Cibalian kisha marrë notën më të lart të ndeshjes. Edhe vendi i 4-t në kampionat është i kënaqshëm, sepse të dërgon në Europë”, tha Grezda.

Në këtë pjesë të sezonit, diskutimet për merkaton janë të pashmangshme. Sulmuesi kuqezi ka qenë gjithmonë në fokusin e klubeve nga ligat e mëdha europiane, por Grezda i ka të qarta idetë.

“Në dy javët e ardhshme do të mësohet edhe fati im. Kampionati gjerman është ai që më pëlqen”, deklaroi Eros Grezda.

To Top