Kategoria Superiore

Gjoka: Larguam presionin, të vijojmë kështu

Vllaznia mori fitoren e parë për vitin 2018, duke mposhtur Lushnjën e vendit të fundit me rezultatin 0-2, falë një dopiete të Xhevahir Sukajt. Për trajnerin Gjoka kjo fitore ishte një domosdoshmëri, për të rikthyer disi qetësinë në një skuadër që po kalonte një gjendje të rëndë psikologjike.

“Sot ka qenë një fitore që e prisja dhe besoj se do të na japë marshin që duhet, për të vijuar sezonin. Unë besoj te lojtarët, por është një moment makthi psikologjik, që na ka çuar në këtë gjendje. Këmbëngulëm që të ruajmë përqendrimin gjatë gjithë kohës, por edhe sot pati momente ku e ulëm disi intensitetin. Këtu është përqendruar edhe puna jonë, që të shmangim gabimet, që na kanë kushtuar shtrenjtë”, u shpreh Gjoka.

Atmosfera ka qenë e rëndë në Shkodër, kjo edhe për shkak të përplasjeve të trajnerit Gjoka me gazetarët vendas, por edhe për shkak të rezultateve negative.

“Duhet ta pranojmë që ka shumë tension dhe ky tension i akumuluar nga jashtë, natyrisht që vjen edhe brenda skuadrës, për më tepër që kemi 70-80 % të futbollistëve, që janë vendas. Nuk kam pasur problem me gazetarët dhe madje i respektoj ata, por edhe në rastet kur dikush gabon, është e paqëllimtë”, tha trajneri i Vllaznisë.

Vllaznia fiton në ndeshjet ku ka shumë presion mbi vete dhe dështon në takimet kur situate është më e qetë, problem ky që evidentohet edhe nga trajneri Gjoka.

“Është e vërtetë që me Kukësin e Skënderbeun ne duhet të luanim pa presion dhe më të qetë, pasi nuk kemi garë me to, por pritshmëritë e krijuara dhe atmosfera në qytet, bëri që të rritej ndjeshëm adrenalina te skuadra. Kjo javë ishte vërtetë e ngarkuar, por lojtarët janë profesionistë dhe dinë t’i menaxhojnë të tilla situata”, vlerësoi Gjoka.

To Top