La Liga

Getafe me 10 lojtarë bën surprizën i shkakton humbjen e parë Valencias

Zhgënjen Valencia. Skuadra e Marcelino Garcia Torral nuk përfitoi dot nga hapi fals i Barcelonës kryesuese për ta ngushtuar në vetëm 2 pikë diferencën mes tyre në renditje, pasi Los Che u mposhtën në “Coliseum Alfonso Perez” në Madrid, me rezultatin 1-0 nga Getafe në një ndeshje ku skuadra vendase luajti për 65 minuta me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Arambarrit. Valencia pësoi kështu humbjen e parë sezonale dhe tashmë është -5 nga Barcelona dhe e sheh veten vetëm një pikë përpara Atleticos së Madridit që pozicionohet e treta. Ndaj Getafes, Valencia vuajti disa mungesa të rëndësishme si ato të Guedes, Garay-it dhe Murillos ndërsa në pushimin mes dy pjesëve humbi edhe mesfushorin francezin Kondogbia po për shkak dëmtimi.  Në kryeqytet vendosi gjithçka goli i Bergaras në të 66-ën, goditja e të cilit u devijua nga një mbrojtës kundërshtar. Valencia goditi shtyllën me Dani Parejon por pavarsisht përpjekjeve për të barazuar shifrat në fund doli pa pikë nga Madridi.

To Top