Europa League

Gattuso debuton në Europë: Blerjet e reja nuk po japin atë që pritet

Genaro Gattuso do të debutojë si trajner edhe në Europë, teksa Milani do të ndeshet nesër në mbrëmje me Rijekën, në ndeshjen e fundit të fazës në grupe. Ky takim nuk ka asnjë vlerë për renditjen, pasi kuqezinjtë janë kualifikuar tashmë, ndërsa kroatët nuk ia dolën dot. Gjithsesi, Gattuso mendon se kjo është një ndeshje mjaft e rëndësishme për Milanin, që duhet ende të konsolidohet.

“Për ne nuk është një ndeshje e parëndësishme, sepse duam të fitojmë dhe të mundohemi të krijojmë një vazhdimësi në lojë. Nuk jemi ende aty ku duhet, ndaj duhet të vlerësojmë maksimalisht edhe takime të tilla, që na shërbejnë për t’u konsoliduar”, tha Gattuso.

Trajneri i kuqezinjve pranoi se te Milani janë bërë shumë afrime në merkaton verore, por theksoi se ende blerjet e reja nuk e kanë justifikuar investimin.

“Është e vërtetë që janë afruar shumë lojtarë, por mendoj se blerjet e reja nuk kanë dhënë atë që pritej. Kjo ka ndodhur për arsye të ndryshme, që nga dëmtimet, deri te ambientimi në Serinë A, që nuk është aspak i lehtë, por besoj se shumë shpejt do t’i kthejmë të gjithë në maksimumin e tyre”, theksoi tekniku i kuqezinjve.

To Top