Futboll

Gashi dhe Hyka, golat shqiptarë me vlerë pikësh në MLS

Shkëlzen Gashi dhe Jahmir Hyka protagonistë në MLS pikërisht në radhët e Colorado Rapids dhe San Jose Earthquakes, dy skuadra që militojnë në kampionatin amerikan në Konferencën e Perëndimit.

Sulmuesi 29-vjeçar, që kishte munguar në katër takimet e para të skuadrës nga Denveri realizoi me 11-metërsh golin e 2-0 ndaj Toronto FC në minutën e 78-të, kur kishte vetëm pak minuta që ishte hedhur në fushë si zëvendësues i McBean. Më parë për vendasit kishte shënuar Price që në minutën e dytë. Një gol shumë i rëndësishëm ky për Gashin, për të patur mentalitetin e duhur në takimet e arshdhme në MLS.

Edhe Jahmir Hyka u aktivizua në pjesën e dytë, më saktë në minutën e 67-të, duke shmangur humbjen e San Jose Earthquakes ndaj Houston Dynamo. 5 minuta para përfundimit të takimit, ndërsa miqtë po kryesonin 1-2, shtatshkurti shqiptar realizoi një gol të bukur nga jashtë zonës, që përfundoi në rrjetë, pasi topi u devijua paksa nga mbrojtja. Pas 5 ndeshjeve të para San Jose Earthquakes renditet në zonën e poshtme të tabelës, pikërisht në vendin e 10-të, ndërsa Colorado Rapids në të 6-in.

 

To Top