Kategoria Superiore

Flamurtari me “marsh të lartë”, të premten miqësorja e parë

Rritëm i lartë dhe ngarkesë maksimale fizike. Përgatitjet e Flamurtarit në Antalia vazhdojnë me intensitet, me stafin teknik që është përqendruar te forca. Cirkuite dhe ushtrime fizike, gjatë të cilave nuk ka munguar edhe përdorimi i topit, për ta bërë stërvitjen paksa më argëtuese.

Megjithatë, trajneri Duro dhe ndihmësit e tij i kanë kushtuar vëmendje kryesisht vrapimeve. Lojtarët i janë nënshtruar ushtrimeve të shpejtësisë me sprinte në distanca të shkurtra, ku vështirësia e shtuar ishte tërheqja e peshave.

Përgatitjet do të vazhdojë intensive deri në fundjavë, me skuadrën që të premten ka planifikuar të zhvillojë edhe testin e parë në tokën turke. Në orën 11:00 me orën shqiptare, Flamurtari do të zbresë në fushë për miqësoren përballë Erzurumspor, skuadër e kategorisë së parë.

Edhe pse rivalët e përzgjedhur janë një emër modest, te kuqezinjtë besojnë se ky është kundërshtari më i mirë për të nisur miqësoret dhe për të testuar skemat e reja të trajnerit Duro me përforcimet e merkatos së Janarit nga Muarrem Muarrem e Nedeljkoviç, për të vijuar me Gafurin dhe Zukën.

To Top