Futboll

Flamurtari-Duro, binomi ideal për të fituar me rezultat minimal

Nëse ka një skuadër specialiste në ndeshjet me eleminim në këtë moment të sezonit ajo është Flamurtari. Trajneri Shpëtim Duro ka ndërtuar një skuadër të jashtëzakonshme, solide në prapavijë dhe me elemntë cilësorë në sulm. Jo më kot kuqezinjtë janë sot skuadra me mbrojtjen më të fortë të kampionatit, por gjithashtu është dhe ekipi specialist që drejtohet nga një mjeshtër i rezultateve minimale. 5 nga 8 fitoret e kampionatit Flamurtari i ka me rezultat minimal, 4 suskese 1-0 dhe një 2-1. Ndërkohë që vetëm ndaj Partizanit këtë edicion në Kupë dhe kampionat ka fituar të treja takimet me shifrat minimale 1-0. Këto statistika vlejnë shumë në një kompeticion si kupa, pasi në ndeshjet me eleminim është shumë e rëndësishme të mos pësosh gol, ndërkohë që me potencialin sulmues në përbërje kuqezinjtë e kanë të mundur dhe realizimin e një goli. 12 golat e pësuar në kampionat janë tregues i një skuadre të ekuilibruar në prapavijë, teksa 1/3 e këtyre golave i ka pësuar ndaj Skënderbeut kryesues, ekipi më i mirë për momentin në futbollin shqiptar. Nuk është rastësi që Flamurtari gjendet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit, dhe kjo si një meritë e trajnerit Duro për ndërtimin dhe drejtimin që po i bën skuadrës. Ndaj Partizanit nuk duhet medoemos të sulmojë, dhe në një situatë të tillë flamurtari duhet të jetë vetëvetja, të tregojë tiparin kryesor, ruajtjen e ekuilibrit për të vijuar më tej.

 

To Top