Kategoria Superiore

Flamurtari, 6 mln lekë për t’u kthyer në shtëpi

Një sezon me ulje dhe ngritje, me miliona lekë të investuara, por sërish me rrezikun që të mbetet pa Europë. E megjithatë në Vlorë dëshirojnë që skuadra ta mbyllë kampionatin përpara tifozëve të saj. Për këtë arsye, drejtuesit e Flamurtarit janë të gatshëm për një sforco të fundit financiare. Synimi është që të konvertojnë në gjobë financiare vendimin e Komisionit të Disiplinës, që i dënoi kuqezinjtë me dy ndeshje në fushë asnjënaëse, pas ngjarjeve në përballjen e barazuar me Vllazninë.

Klubi ka angazhuar zyrën juridike për të studiuar mundësinë e rikthimit të ekipit, të cilën ia mundëson neni 135, pika b e Rregullores Sportive. Aty parashikohet që pas kryerjes së gjysmës së dënimit, e cila kaloi me ndeshjen ndaj Laçit në “Elbasan Arena”, klubi ka mundësinë të paguajë 6 milionë lekë të vjetra për t’a kthyer Flamurtarin në shtëpi. Shifra është e lartë dhe nëse i shtohen mbi 18 milionë lekë gjoba të paguara gjatë këtij edicioni, kuqezinjtë do ta mbyllnin edicionin me rreth 25 milionë lekë të vjetra të paguara vetëm për masat disiplinore.

Shifër tejet e lartë për arkat e një klubi shqiptar, ndërsa në aspektin sportiv, të tjera pagesa do të dukeshin pa kuptim. Me mbijetesën të siguruar prej rezultateve të kundërshtarëve dhe shanse minimale për të shpresuar te vendi i katërt në renditje, kthimi në Vlorë do të shërbente më tepër për të mbajtur ekipin pranë tifozëve, pas një sezoni të mbushur me zhgënjime dhe polemika.

To Top