Formula 1

Ferrari kërcënon me kampionat alternativ

Sergio Marchione, presidenti i Ferrarit duket se shfrytëzon të gjitha rastet për të ushtruar një farë presioni ndaj kompanisë Liberty Media që ka në pronësi Formula 1. Në një takim të radhës me përfaqësues të medieve, kreu i skuadrës nga Maranello riktheksoi vendimin e tij se nëse rregullat e lojës do të ndryshojnë atëherë kokë-kuqja do të tërhiqet nga këto gara. Siç është folur edhe më parë, italianët kërkojnë të mos ketë ndryshime teknike që do të mund të cënonin supremacinë e tyre dhe që ky kompeticion të mos kthehet në stilin e garave Nascar.

“Nëse doni të dini të vërtetën, rregullat e reja që kërkojnë të implementojnë në F1 do t’i rrezoja që të gjitha, por ajo që më irriton mbi të gjitha është fakti se njeriu që kërkon të ndryshojë ADN-në e këtyre garave, është pikërisht një njeri me eksperiencë të madhe si Ros Braun. Të krijosh makina që nuk kanë identitet, por janë të gjitha njësoj, ekonomike dhe me motorë të njëjtë si ato të garave Nacar, nuk është në interesin tonë. Duhet të gjejmë ekuilibrin me vendime që do të lënë të gjithë pjesëmarrësit, të kënaqur në të kundërt ne nuk jemi më të interesuar dhe Ferrari do të vetë-përjashtohet nga F1. Nuk jam duke luajtur blofin përkundrazi, nëse në kontratën e re ne nuk do të jemi të kënaqur me kompaninë Liberty, atëherë nuk do të marrim më pjesë përkundrazi kemi forcën të krijojmë një kampionat alternativ dhe të marrim me vete edhe shumë skuadra të tjera.

Referuar mbarëvajtjes së sezonit të shkuar dhe objektivave së të ardhmes Presidenti i skuadrës nga Maranello thekson se njëvendëshja kokë-kuqe do të jetë më më kompetitive se kurrë në 2018-ën.

“Krahasuar me startin e 2016-ës, kjo skuadër ka bërë hapa prej gjigantësh, ndërkohë që pjesa e dytë e sezonit ishte sa e turpshme aq edhe sikletshme për ne. E nëse garat në ndalesat aziatike nuk do të kishin rezultuar një katastrofë, atëherë Vettel do të kishte pasur shanse reale për të fituar titullin”, u shpreh bosi i Ferrarit.

To Top