FA Cup

Eliminoi Leicester City-n, Chelsea në gjysmëfinale

Chelsea u kualifikua në gjysmëfinale të FA Cup, pasi kaloi me shumë vështirësi në kohën shtesë Leicester City-n me rezultatin 1-2. Në përballjen që u zhvillua në “King Power Stadium” blutë e Londrës kaluan në epërsi në minutën e 42-të, pas një kundërsulmi të shpejtë të Willian, që nxori përballë portierit Moratan për golin e 0-1.

Pas shumë përpjekjesh Leicesteri arriti të barazonte në minutën e 76-të me Vardin, pas një rrëmuje në zonën e Chelsea-t. 90 minutat plus shtesa u mbyllën pa një fitues, ndaj për të përcaktuar skuadrën që do të vijonte më tej u luajtën edhe dy pjesë me nga 15 minuta.

Në minutën e 105-të ishte Pedro që përfitoi nga vendosja e gabuar e mbrojtjes dhe dalja e pastudiuar mirë e portierit, duke shënuar golin e kualifikimit.

Avancoi më tej edhe Southamptoni, që mposhti 0-2 Wiganin me gola të Hojbjerg dhe Cedric në pjesën e dytë, ndërsa italiani Gabiadini humbi një 11-metërsh. Dy skuadrat e tjera të kualifikuara janë Manchester United dhe Tottenham. Çiftet gjysmëfinaliste të FA Cup janë:

Chelsea – Southampton

Manchester United – Tottenham

 

To Top