Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Eksperienca kosovare dhe synimet për titullin, Josa rrëfehet në ‘Zona Gol’

Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport, ku foli për eksperiencën e tij kosovare. Ish tekniku kampion me Skënderbeun, deklaroi se synon të fitojë edhe me Prishtinën, në Kosovë, ku është ende në lojë për të triumfuar si në kampionat, ashtu edhe në Digitalb Kupa.

‘Zona Gol’: Si ndiheni te Prishtina?
Josa: Është një eksperiencë mjaft e mirë, të cilën e vlerësoj shumë dhe jam i kënaqur që jam këtu. Normalisht që futbolli i Kosovës ka problemet e veta, por gjithsesi zhvillohet një kampionat shumë interesant.

‘Zona Gol’: Duket se ngjyrat bardheblu ju ndjekin pas…
Josa: Po është e vërtetë, sepse ashtu si te Tirana, edhe Prishtina ka fanellën bardheblu. Gjithsesi unë kam drejtuar edhe skaudra si Skënderbeu e Vllaznia, që kanë ngjyra të tjera.

‘Zona Gol’: Në dy takimet e fundit, keni marrë fitore vetëm në minutat e fundit të ndeshjes. Duhet të jeni bërë me zemër…
Josa: Në fakt kemi pasur ndeshje shumë të vështira dhe jo më kot kemi vuajtur për të marrë fitoren. Veçanërisht ndeshja e fundit në Prizren, ndaj Lirisë më bëri vërtetë me zemër, pasi ishte një takim ku nga momenti në moment prisnim të shënonim, por e dinim se edhe mund të pësonim.

‘Zona Gol’: E mendonit në fillim të sezonit se Prishtina dhe Drita ishin skuadrat më të mira?
Josa: Të jem i sinqertë jo, madje as tani nuk jam i këtij mendimi. Këtu ka disa skuadra që janë shumë të mira, por që për një arsye apo për një tjetër, ndoshta edhe për shkak të fatit, gabuan në momente të caktuara dhe mbetën disi më mbrapa në renditje. Por nuk janë për t’u nënvlerësuar skuadra si Liria, Trepça ’89, etj.

‘Zona Gol’: Jeni përgatitur për të fituar titullin kampion?
Josa: Në fakt kemi punuar shumë që në fillim, me synimin e vetëm të fitojmë titullin kampion. Unë kam fatin se në Prishtinë punohet në kushte mjaft të mira, ndërsa në fazën përgatitore të dimrit, arritëm të realizojmë gjëra mjaft të bukura. Gjithsesi them se jemi penalizuar disi, pasi infrastruktura në Kosovë është problematike dhe në shumë fusha, terreni nuk na ka lejuar të shprehim më të mirën tonë.

‘Zona Gol’: Si paraqitet Drita në transfertë?
Josa: Drita ka bërë ndeshje shumë të mira, si në shtëpi, ashtu edhe në transfertë. Nuk humb prej shumë javësh, më shumë se 20 mesa kujtoj dhe ka disa lojtarë shumë cilësorë, 2-3 prej të cilëve kanë luajtur edhe në Superligën Shqiptare. Besoj se do të jetë një sfidë e hapur, ku si ne ashtu edhe Drita, kemi synimet tona për të fituar. Ata kanë edhe avantazhin e 3 pikëve me vete, por kjo nuk na pengon të provojmë triumfin.

‘Zona Gol’: Këtë sezon Prishtina po ndërton stadiumin dhe ka luajtur në Pejë ndeshjet e saj. Mund të themi se ky është një vit zero, ku titulli nuk është domosdoshmëri?
Josa: Në fakt nëse ka një gjë që mund ta vlerësoj në Kosovë dhe që nuk e kemi ne në Shqipëri, është se këtu punohet shumë qetë. Ka shumë optimizëm në ambientet e skuadrave dhe për më tepër nuk të ngarkojnë me objektiva e përgjegjësi të parakohshme. Më pëlqen kur gjërat merren me radhë dhe mendon me qetësi edhe për synimet që kërkon të arrish.

‘Zona Gol’: Do të donit që finalja e sezonit ndaj Dritës të luhet në Prishtinë?
Josa: Dëshira jonë do të ishte të luanim në Prishtinë, jo vetëm se jemi në qytetin tonë, por edhe sepse masat e sigurisë janë më të mira, pasi bëhet fjalë për dy skuadra me tifozëri të zjarrta. Por në pamundësi për të zgjedhur Prishtinën, ne kemi luajtur të gjithë takimet në Pejë, një qytet që na ka mirëpritur dhe kemi gjetur ngrohtësinë e duhur. Ishte edhe një opsion për të luajtur në Mitrovicë, por unë mendoj se Peja është zgjidhja më e mirë për këtë sfidë, pasi aty kemi luajtur gjithë sezonin dhe jemi përgatitur për lojën në atë terren.

‘Zona Gol’: Çfarë ju pengon të luani në Prishtinë?
Josa: Stadiumi këtu është i ri dhe shumë cilësor, por nuk është licencuar ende nga UEFA dhe kjo është pengesa që është shfaqur deri tani. Nuk është luajtur ende asnjë ndeshje testuese, përpara se të luhet një ndeshje zyrtare, ndaj është e vështirë që të vendoset që ndeshja me Dritën të luhet aty.

‘Zona Gol’: Jeni ambientuar në Prishtinë, apo jeni me mendje diku tjetër?
Josa: Kontrata ime me klubin e Prishtinës përfundon pas finales së Digitalb Kupës dhe më pas do të analizojmë gjithçka, Do të ulem me administratën e klubit dhe do të diskutojmë. Nëse unë jam i kënaqur me atë që më ofrohet dhe ata kanë vlerësim për punën time, atëherë pse mos të vijojmë ende bashkëpunimin.

Lajme të tjera

Champions League

Paris Saint Germain u mposht 2-3 në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Barcelonës në “parkun e Princave”, megjithatë trajneri Luis...

Champions League

Manchester City dështoi te penalltitë përballë Realit të Madridit, duke i thënë lamtumirë Champions League. Rrugëtimi i kampionëve në fuqi u mbyll në çerekfinale,...

Lajme

Një thashethem i bujshëm po mbush mediat rozë në Itali, teksa këtë herë protagonistë janë mesfushori amerikan i Juventusit, Weston McKennie dhe motra e...

Champions League

Borussia e Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit. Skuadra gjermani bëri mrekullinë në ndeshjen e kthimit ndaj Atleticos së Madridit, të cilin e mposhti 4-2,...