Premier League

E diel surprizë/ Newcastle mposht Arsenalin, West Brom shtang Unitedin

Newcastle United përmbysi disavantazhin e fillimit për të regjistruar një fitore të madhe ndaj ekipit të Arsenalit, që e ngjiti skuadrën e trajnerit Rafa Benitez drejt e në dhjetëshen e parë të Premier League-s.

Pas kualifikimit të mesjavës në Moskë ndaj CSKA-së për në fazën gjysmëfinale të Europa League-s trajneri Arsene Wenger e filloi takimin në St’ James’s Park me shumë ndryshime në formacion, por me dy lojtarët më të shtrenjtë të klubit Lacazette dhe Aubameyang, që bashkë kushtojnë diçka më tepër se 100 milionë stërlina, në fushë që nga minuta e parë.

Zgjedhjet e veteranit francez nuk influencuan aspak në startin e takimit, pasi ishte pikërisht Alexandre Lacazette që zhbllokoi rezultatin në minutën e 14′, pas asistit të Aubameyang. Goli i 11 sezonal i sulmuesit të përfaqësueses franceze megjithatë i mbajti miqtë në avantazh për vetëm çerek ore lojë, sepse në minutën e 29′ spanjolli Ayoze Perez shfrytëzoi në maksimum krosimin perfekt të DeAndre Yedlin nga e djathta, për të shënuar një gol shumë të bukur në shtyllën e parë.

Newcastle United kishte humbur 10 përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave, gjithsesi në 68′ ekipi i Rafa Benitez-it arriti të gjejë edhe golin e dytë me anë të mesfushorit skocez Matt Ritchie, që përfitoi nga rreshtimi i gabuar i mbrojtjes së “topcinjve”. Në fund vendasit administruan pa shumë probleme avantazhin dhe falë rezultatit 2-1 Newcastle United siguroi një fitore që në St’ James’s Park mungonte ndaj Arsenalit prej plot 10 takimeve, më saktë që nga viti i largët 2005, ndërsa në krahun tjetër kjo disfatë konfirmoi përsëri problemet e shumta të ekipit londinez jashtë fushe, sepse që kur ka hyrë viti 2018 skuadra e Arsene Wenger i ka humbur që të pesta ndeshjet e luajtura në Premiership, larg Stadiumit Emirates.

Një tjetër surprizë u regjistrua edhe në ‘Old Trafford’, ku West Brom arriti të shtangë Manchester Unitedin, duke e mposhtur 0-1. Skuadra e Mourinhos dominoi qarkullimin e topit, por nuk arriti të krijojë shumë në portën kundërshtare, pasi miqtë luanin të ngjeshur në gjysmëfushën e tyre. West Brom shënoi në minutën e 71-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, me atë të sulmuesit Rodriguez, duke dalë me 3 pikë nga kjo transfertë e vështirë.

To Top