Kategoria Superiore

Duro: U kërkoj ndjesë tifozëve, Flamurtari do të ringrihet

Prej 3 ndeshjesh pa asnjë pikë, i goditur nga një situatë emergjence mungesash për shkak dëmtimesh dhe kartonash, Flamurtari përjeton periudhën më negative të këtij sezoni. Shpëtim Duro në konferencën për shtyp para sfidës me Kamzën evidenton faktorët që kanë ndikuar në këtë miniecuri negative pa harruar as problemet e vetë Flamurtarit, por nga gjithë faktorët e ka të pamundur të pranojë ato që i konsideron padrejtësi arbitrale ndaj skuadrës.

“Duhet të reagojmë, përtej problemeve që dihen, duke nisur nga gjykimi. Në Shkodër na janë mohuar dy 11-metërsha, kurse në Laç nuk ka ndonjë gjë për të thënë. Ishte akti i tretë i një skenari që ka filluar që në fazën e parë”.

Mungesat vijojnë të mbeten shqetësuese, vec Muarem, Tunkara dhe Nurkovic mungon edhe Polozhani i skualifikuar dhe Nedjelkovic nuk është në 100% por pavarësisht të gjithave,trajneri kërkon nga Flamurtari i tij të ringrihet, duke gjetur forcën për të luftuar kundër faktorëve kundër, përfshirë këtu dhe arbitrimin.

“Kemi pasur edhe mungesa, por kam besim se skuadra do të kthehet ajo e dy fazave të para. Një skuadër e fortë është ajo skuadër që di të ringrihet dhe unë kam besim se këtë do të bëjmë. Kemi lojtarë të mrekullueshëm dhe profesionistë, të cilët nuk e meritojnë të jenë në këtë situate”.

Duro e njeh mirë dhe e vlerëson Kamzën, por besimi se skuadra e tij do të dijë të reagojë mbetet i palëkundur.

“Kamzën e njoh dhe di të them se është ekip i fortë, që do të na e bëjë të vështirë në Vlorë, por ne duhet të reagojmë”.

Në fund por absolutisht jo më pak e rëndësishmja, një ndjesë dhe një premtim për tifozerinë vlonjate që i duhet Flamurtarit në këto momente me shumë se kurrë.

“Dua t’u kërkoj ndjesë në emër të ekipit tifozëve të Flamurtarit për rezultatet e fundit, por bashkë me ta do të dimë të ringrihemi. Me mbështetjen e tifozëve, Flamurtari do të kthehet në vendin që meriton”.

To Top