Kategoria Superiore

Duro: Mos më dënoni, do më lini 3 ditë pa gjumë

Skënderbeu mposhti Flamurtarin e vendit të dytë dhe thelloi edhe më shumë distancën në krye të tabelës. Gjithsesi, Shpëtim Duro nuk e fsheh dëshpërimin për mënyrën se si erdhi humbja, ndërsa thekson se është I kënaqur me performancën e skuadrës së tij në tërësi.

“Luanim ndaj një skuadre si Skënderbeu dhe e kishim parashikuar që do të ishte një ndeshje që do të ndahej nga një rezultat i ngushtë, pasi luanin dy ekipe që po kalojnë një moment të vështirë. Kam keqardhje pasi u ndëshkuam në një mënyrë, që zakonisht nuk vuajmë, por edhe për faktin se kishim mundësi reale për të fituar. Gjithsesi, ne nuk kemi presionin e titullit, pasi jemi skuadër e re, por do ishte më mirë që kampionatin të ishte i hapur. Nuk jam i mërzitur, pasi jam i bindur që nuk e meritonim humbjen, ndonëse ka ende dhe 17 javë dhe do të vijojmë të japim maksimumin”, tha Duro.

Mungonte mesfushori Sidibe, një nga pikat më të forta të këtij Flamurtari, ndërsa Zuka dhe Useini u duk se vuajtën disi ndaj kundërshtarëve.

“Na mungonte pika jonë më e fortë, Sidibe, ndërsa lojtarët që luanin, kishin një markim personal me Lilën dhe Muzakën, dhe arritën t’I neutralizojnë mjaft mirë ata, ndaj jam i kënaqur me paraqitjen e mesfushorëve, por edhe të skuadrës në përgjithësi”, u shpreh trajneri i vlonjatëve.

Me Flamurtarin luajti si titullar blerja më e bujshme e merkatos së dimrit, Muarem Muarem, që u duk se nuk ishte në formën e tij më të mirë, pavarësisht se Duro e mori në mbrojtje.

“Muarem është një lojtar që qetëson skuadrën kur merr topin, pavarësisht se vjen pas nëj dëmtimi dhe nuk është në 100% të formës së tij. Gjithsesi, si ndeshje e parë, unë jam i kënaqur dhe jam i bindur që ai lojtar ka cilësi dhe do të na ndihmojë shumë”, u shpreh Shpëtim Duro.

Trajneri i Flamurtarit u bë protagonist javën e kaluar, me akuzat për arbitrimin në sfidën me Kukësin, ndërsa bëri edhe apel që të mos e dënojnë për këto polemika.

“Në fakt unë kam rreth 20 vite karrierë si trajner dhe nuk jam ndëshkuar asnjëherë me kartonë, por herën e fundit iu referova një emri, që nuk e ka për herë të parë ‘gabimin’ kundër nesh dhe isha i bindur që ma bënë borxh. Kam edhe një apel për ata që vlerësojnë këto situata. Ju lutem, mos më dënoni, pasi nuk do më zërë gjumi për 3 ditë”, tha trajneri i Flamurtarit.

To Top