Kupa e Shqiperise

Duro: Marr përgjegjësitë e mia, jap dorëheqjen

Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro nuk e ka kapërdirë eliminimin nga Kupa e Shqipërisë dhe duke i shtuar edhe rezultatet negative të kohëve të fundit në Superiore, ka vendosur të marrë përgjegjësinë, duke dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Flamurtarit.

U patë shumë i zhgënjyer dhe madje u takuat edhe me pjesëtarë të stafit. Pse kjo lëvizje?
Me keqardhje, por mund t’u them se kam marrë një vendim që nuk do jem më trajner i Flamurtarit. Duke pasur parasysh ndeshjet e fundit, rezultatet negative, por edhe eliminimin e sotëm, them se duhet të marr përgjegjësinë plotësisht vetë.

Vendi i 3-të është vetëm 5 pikë larg. Mos duhet të tregoheni më të përmbajtur në vendimin tuaj?
Nuk është problemi aty, pasi Flamurtari mund të arrijë Europën edhe nga kampionati, por unë nuk mund ta përballoj këtë situatë. Mendoj se do të ishte më mirë si për mua, si për skuadrën, ashtu edhe për zotin Idrizi, që të marr vetë të gjithë përgjegjësinë. Më vjen keq që duhet të largohem, pasi kam kaluar një periudhë të shkëlqyer dhe kam raporte mjaft të mira si me presidentin Idrizi, ashtu edhe me tifozërinë. Në verë bëra një skuadër të mirë, por në janar nuk mora lojtarët e duhur, pasi zgjodha t’u besoj sugjerimeve dhe jo të marr ata që i njoh mirë vetë.

A ka ndonjë arsye tjetër që e shpjegon rënien e Skënderbeut?
Nuk ka asnjë lloj arsyeje. Skuadra rrëshqiti në fazën e 3-të dhe unë e them me bindje që arbitrimi ka qenë një nga faktorët, ndërsa edhe dëmtimet na kanë penalizuar shumë. Ndërkohë duhet të marr edhe përgjegjësinë time, por edhe të lojtarëve. Unë po largohem sot për të mirë të klubit dhe mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë. Më vjen keq, pasi e ndërtova vetë skuadrën dhe janë të gjithë djem profesionistë dhe seriozë. Patjetër që Skënderbeu ka shumë kualitete dhe me një sulmues si Sowe është shumë më e lehtë puna edhe për trajnerët.

Mendoni se trajneri i ri do të mund të ndryshojë ndonjë gjë?
Unë Flamurtarin e lë sot në vendin e 6 dhe shumë pranë zonës europiane, jo në gjendjen që e gjeta. Po largohem me keqardhje, pasi kam një vit e gjysmë që drejtoj këtu dhe kam pasur një besim maksimal nga stafi dhe presidenca e klubit. Ky është një vendim personal, pasi unë nuk mund ta përballoj më këtë situatë.

To Top