Serie A

Icardi mposht i vetëm Milanin, Inter ndjek Napolin

Mauro Icardi është njeriu derbi, teksa me tre golat e tij ka mposhtur i vetëm Milanin, që shënoi vetëm dy herë në portën e Handanoviç.

45-minutëshi i parë i derbit të Madonninës, ka përfunduar me avantazhin e Interit 1-0, falë golit të Icardit. Pjesa e parë ishte shumë e luftuar, teksa zikaltrit kontrolluan lojën dhe goditën edhe një herë traversën. Kuqezinjtë e Montellës patën mundësinë më të mirë për të barazuar në minutën e 43-të, por goditja e Borinit u prit mrekullisht nga Handanoviç.

Në fillimin e pjesës së dytë, Montella fut Cutronen, për Kessie dhe Milani bëhet më sulmues. Në minutën e 56, kuqezinjtë barazojnë me një supergol të shënuar nga spanjolli Suso. Vetëm 5 minuta më pas, Icardi rikuperon një top dhe pasi kombinon me Perisiç, shënon golin e dytë personal dhe rikthen Interin në avantazh.

Në minutën e 80, Bonaventura shfrytëzon mjaft mirë një krosim të ardhur në zonë nga ana e Borinit dhe e ka dërguar në rrjetë, duke barazuar rezultatin. Në minutën e fundit të kohës së rregullt, zikaltrit fitojnë një 11 metërsh, të cilin Icardi e kthen në gol me gjakftohtësi dhe këtë herë, futbollistët e Milanin nuk kanë më kohë të barazojnë.

Pas javës së 8-të, Inter mbetet në vendin e dytë të renditjes, vetëm 2 pikë larg Napolit dhe 3 pikë para Juventusit e Lazios, që e ndjekin. Javën e ardhshme zikaltrit do udhëtojnë në Napoli, për t’u përballur me dominuesit absolutë të Serisë A.

To Top