Lojërat Dimërore

Ceremonia madhështore në Kore u hap udhë garave

Filluan zyrtarisht Lojërat e 23-ta Olimpike Dimërore, me një ceremoni hapëse madhështore, që u mbajt në Stadiumin Olimpik të Pyeongchang-ut. Tre dekada pas Lojërave Verore që u mbajtën në Seoul, në vitin 1988, Korea e Jugut hapi dyert për Olimpiadën Dimërore dhe si zakonisht në evente të tilla të këtyre përmasave, gjithçka startoi me ceremoninë hapëse, që këtë herë ishte organizuar pa shumë tepri, por gjithsesi një performancë e shkëlqyer, e ndërtuar me delikatesë dhe shumë klas.

Ceremonia u zhvillua përpara 35.000 të pranishmëve, në orën 20:00 me orën lokale në Pyeongchang dhe mesditë në Kontinentin e Vjetër, duke i paraprirë kështu Lojërave Dimërore, që për hir të së vërtetës filluan që ditën e enjte dhe që do të zgjasin deri më datë 25 shkurt, kur po në të njëjtin stadium do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse e këtij aktiviteti.

Një ndër kolosët e ekonomisë botërore dhe natyrisht edhe një ndër “Dragonjtë e Azisë”, Koreja e Jugut hap kështu dyert për Olimpiadën më të ftohtë në historinë e gjithë Lojërave Dimërore, madje edhe ceremonia hapëse u mbajt nën një mot të acartë dhe temperaturë -4 gradë celsius. Gjithsej kjo Olimpiadë përmban 102 evente në 15 disiplina të ndryshme sportive, ku do të rivalizojnë plot 2.952 sportistë nga 92 vende, ku debutojnë zyrtarisht edhe shtete si Kosova, Ekuadori, Eritrea, Malajzia, Nigeria dhe Singapori.

Ndërkaq Rusia është e përjashtuar nga këto Lojëra, për shkak të përdorimit në masë nga ana e sportistëve të këtij vendi të substancave të ndaluara, në Olimpiadën e zhvilluar katër vjet më parë, pikërisht në Sochi. 169 sportistët rusë që morën aprovimin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për të marrë pjesë në këto Lojëra parakaluan me Flamurin Olimpik, sidoqoftë ky seleksion do të garojë si neutral nën simbolin OAR, ‘Olimpic Athletes from Russia’ prej gjuhës angleze, delegacion që renditet i treti për nga madhësia në Olimpiadën e Pyeongchang-ut, ku kryesojnë Shtetet e Bashkuara me 242 sportistë dhe Kanadaja me 226.

Ceremonia filloi me numërimin së prapthi, fishek-zjarre të panumërt, si dhe shfaqjen e një tigri të stërmadh, bashkë me 5 fëmijë, që simbolizonin rrathët olimpikë. Tigrit të bardhë iu bashkëngjit një dragua Blu, një zog i zjarrtë si dhe një breshkë e zezë, ndërsa atmosfera në vijim u elektrizua nga “Gangnam style” apo dhe kënga e famshme e John Lennon “Imagine”, e kënduar nga një kuartet korean, për të kulmuar me momentin e parakalimit të sportistëve të Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut së bashku nën një flamur të vetëm, duke përcjellë kështu një mesazh të fortë paqeje.

Flamuri u mbajt nga dy sportistë: Hwang Chung – Gum i Koresë së Veriut dhe Won Yunjong i Koresë së Jugut, megjithëse tepër i veçantë ishte gjithashtu edhe momenti i parakalimit të Pita Taufatofua, përfaqësuesit të vetëm të Tongës, që sfidoi të ftohtin teksa doli në stadium me kostumin kombëtar të vendit të tij, me një histori vërtet tepër të veçantë, pasi në Lojërat Verore të Rios konkurroi në taekwondo, ndërsa në Pyeongchang 34-vjeçari i lindur në Australi do të marrë pjesë në garat e skive.

Ndërkaq pas udhëtimit 101 ditor në cdo skaj të Koresë pishtari olimpik në fund kaloi në duart e 27-vjeçares Yuna Kim, që fitoi për Korenë e Jugut medaljen e artë në patinazh në Vancouver në vitin 2010 si dhe medaljen e argjendtë katër vjet më pas në Sochi. Zjarri kaloi nëpërmjet 30 unazave për të ndezur më në fund flakën olimpike, duke i dhënë fund kështu ceremonisë hapëse, që kishte gjithashtu edhe shumë skena fantastike dhe numra të përkryer, të ndërthurur me një koreografi perfekte, si në rastin e 1.218 droneve që formuan në mënyrë spektakolare mbi qiellin e Pyeongchang-ut rrathët olimpikë.

Lojërat Dimërore të Pyeongchang-ut u hapën zyrtarisht nga presidenti i vendit Moon Jae – In, nën vështrimin e Kim Yo – Jong, motrës së udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong, e cila ishte përgjatë gjithë kohës nën mbrojtjen e veçantë të 20 personave, veshur me të zeza, por që në krahun tjetër përfaqëson gjithashtu edhe pjesëtaren e parë nga familja që sundon Korenë e Veriut që viziton Jugun që nga Lufta e Koresë në 1953 e largët. Në këto Lojëra Dimërore Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë: Erjon Tolën që do të garojë në ski në sllallom dhe sllallom gjigant, si dhe skiatoren Suela Mëhilli që do të marrë pjesë në po të njëjtat disiplina, ndërkaq Albin Tahiri është i vetmi sportist kosovar në Olimpiadën e Pyeongchang-ut dhe skiatori 28-vjeçar do të garojë edhe ky në sllallom dhe sllallomin gjigant.

To Top