Kategoria Superiore

Bregu-Abazaj, më të kërkuarit e merkatos

Pavarësisht se është në zonën e rënies në Kategorisë Superiore, Luftëtari vijon të jetë në qendër të vëmendjes. Gjirokastritët kanë në përbërje dy prej futbollistëve më të kërkuar për momentin, Kristal Abazaj dhe Dejvi Bregu.

Dy sulmuesit e krahëve, edicionin e kaluar shpërthyen me fanellën bluzi, ndërkohë që këtë sezon po hasin vështirësi për të konfirmuar gjithçka të mirë, të bërë një vit më parë. Por kjo jo në aspektin individual, pasi me paraqitjen e tyre vijojnë të jenë nga më të mirët në fushë, pasi Bregu ka shënuar 4 gola ndërsa Abazaj 3.

Jo më kot gjuetia ndaj tyre vijon, ashtu siç ndodhi edhe në verë, ku ishin emrat më të lakuar. Sigurisht që skuadrat më të mira të kampionatit, ato që luftojnë për objektiva madhorë kanë kthyer vëmendjen drejt tyre.

Nuk ka më sekrete që të dy së bashku apo qoftë edhe të ndarë, të jenë në fokusin e Skënderbeut, Kukësit, Flamurtarit apo edhe Partizanit. Megjithatë duhet kuptuar dëshira e drejtuesve të klubit gjirokastritë nëse preferojnë të shesin xhevahirët e tyre në kampionatin shqiptar, apo do të tentojnë t’i mbajnë deri në verë, për të synuar më pas përfitim ekonomik nga tregu i huaj.

Kjo mbetet për t’u parë, ndërkohë që primare për talentet e Luftëtarit duket se janë 3 javët e mbetura në këtë vit kalendarik dhe marrja e pikëve për të shkuar të qetë në pushimet dimërore.

To Top