Futboll

Botërori i klubeve, Reali kërkon ta mbyllë vitin me trofe

Gjërat në kampionat nuk po ecin siç duhet, por Reali dëshiron ta mbyllë me gëzim vitin, duke ngritur trofeun e Botërorit për klube. Natyrisht që edhe këtë edicion skuadra e Zinedine Zidane është favorite për të ngritur lart trofeun në kompeticionin ku do të zbresë në fushë në 13 dhjetor direkt në gjysmëfinale.

Kompeticioni është rikthyer në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë luajtur edhe edicionet e viteve 2009 dhe 2010. Luhet në Abu Dhabi dhe Al Ain. Formula mbetet e njëjtë, sfidohen përfaqësuesit e gjithë konfederatave, me fituesit e Championsit dhe Kupës Libertadores që hyjnë në lojë duke nisur nga gjysmëfinalet.

Amerikanojugorët në fakt dy herë në 4 edicionet e fundit kanë dështuar për të arritur në finale. Vitin e kaluar Atletico Nacional u mposht nga Kashima Antlers dhe këtë herë i takon Gremios të rikthejë në vend nderin e futbollit latin. klubi brazilian synon të kthejë në kontinent një trofe që mungon që nga viti 2012, kur Corinthians triumfoi ndaj Chelseat.

Gremio, që fitoi Kupën Libertadores javën e kaluar përballë Lanus, ka armët për të qenë një rival i denjë për Realin, që nuk po kalon momentin e tij më të mirë, dhe që ka një grup plot kualitete, por edhe me shumë probleme dëmtimesh.

Në gjysmëfinale brazilianët do të përballen me fituesin e duelit mes Pachucha të Meksikës dhe Wydad të Marokut me përfaqësuesit e CONCACAF që kanë si “yllin” më të njohur në Europë Keisuke Honda. Ish-futbollisti i Milanit ka patur një impakt të shkëlqyer në Meksikë. Afrikanët nga Casablanca janë një grup kompakt me vetëm dy të huaj. Lindja e Largët përfgaqësohet me japonezët e Urawa Red Diamons, që në Championsin aziatik mposhtën sauditët e Al Hilal me golin vendimtar të Rafael Silva-s, sulmues brazilian 25-vjecar, që është dhe arma kryesore e japonezëve.

To Top