Kategoria Superiore

Blindimi i vendit të dytë dhe shpërthimi i Gurit, Pacult i dha identitet Kukësit

Ardhja e austriakut Pacult në fillim të janarit te skuadra e Kukësit duket se ka qenë zgjedhja e duhur e drejtuesve të klubit kampion. Jo vetëm fitorja me Partizanin, që për nga mënyra ishte spektakolare, por edhe seria e gjatë e rezultateve pozitive dhe reagimi i ekipit që prej uljes së tij në stol ka qenë ai i duhuri.

Në pak muaj, Pacult mundi të ridimensiononte Kukësin duke i dhënë një identitet që duket se i mungonte me Mladen Milinkovicin. Jemi ende në mesin e prillit dhe gjatë kësaj periudhe Pacult duket se arriti ta çonte skuadrën tek objektivi që ishte vendosur, vendi i dytë në klasifikim, që mund të vlejë dhe pjesëmarrjen në Champions, nëse Skënderbeu nuk do të arrijë të fitojë betejën me UEFA-n në KAS. Më tepër se kaq Kukësi nuk mund të bënte.

Për më tepër suksesi i arritur ndaj Partizanit erdhi nëpërmjet një loje të vrullshme, duke vendosur dhe një rekord, atë të suksesit më të thellë të realizuar ndaj të kuqve në histori. Dhe kjo nuk është pak duke parë se Partizani në këtë rast ishte një ndjekës për vendin e dytë në renditje. Kukësi i Pacult jo vetëm që arriti të merrte rekordin, por gjithashtu hipotekoi përfundimisht këtë pozicion dhe tashmë mund të presë me qetësi fundin e sezonit.

Prej katër javësh ekipi fiton dhe ka mundur të gjithë rivalët direkt, duke treguar pjekurinë e sezonit të kaluar, që pa dyshim u rigjet dhe falë punës strike të Pacult. Për më tepër Pacult i dha dorën dhe një lojtari si Sindrit Guri, që përpara ardhjes së tij kishte realizuar 3 herë në kampionat, ndërkohë që me uljen në stol të austriakut ka shënuar në total 12 herë, në më pak se dy muaj e gjysmë, përfshirë këtu tregolëshin ndaj Partizanit, por dhe një dygolësh ndaj të kuqve në transfertë e një tjetër dygolësh ndaj Teutës.

Guri është shembulli më i mirë se një trajner cilësor di të nxjerrë jashtë më të mirën e lojtarëve të tij.  Pa dyshim që jo vetëm në rezultate, por dhe në përmirësimin e ndjeshëm të ekipit ndihet dora e Pacultit.

To Top