Serie B

Bari siguron Play Off-in, Entella e shqiptarëve drejt Serisë C

Bari është rikthyer te fitorja, teksa ka mposhtur në ‘San Nicola’ Perugian me rezultatin 3-1 dhe ka siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen në Play Off-in për t’u ngjitur në Serinë A. Skuadra ku mban shiritin e kapitenit mesfushori i kombëtares shqiptare, Migjen Basha, dominoi takimin e sotëm dhe nuk vuri për asnjë moment në diskutim fitoren.

Edhe Palermo mori 3 pikë mjaft të rëndësishme në transfertën ndaj Ternanës, ku fitoi 2-3 dhe tashmë mban gjallë shpresat për të siguruar direkt ngjitjen në Serinë A, ndonëse në dy javët e fundit do të duhet të duelojë ashpër me Parmën e Frosinone, që gjithashtu synojnë vendin e dytë të renditjes. Fitore morën edhe Venezia që mposhti 2-1 Foggian, dhe Frosinone, që triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Carpit.

Virtus Entella, skuadra ku aktivizohen dy shqiptarët e tjerë, Naser Aliji dhe Azdren Llullaku, u mposht nga Salernitana me rezultatin minimal 1-0 dhe tashmë ka komplikuar seriozisht objektivin për të qëndruar në Serinë B, sepse praktikisht ndodhet në zonën që të çon një kategori më poshtë. Dy futbollistët shqiptarë e panë takimin nga stoli, duke mos u aktivizuar për asnjë minutë.

To Top