La Liga

Barça ‘shkatërron’ Villarealin, Reali bie në Sevilla

Me titullin kampion tashmë të fituar, Barcelona vijon të jetë e motivuar për të mbyllur sezonin në La Liga, në kuotën e zero humbjeve.

Pas asaj El Clasico-je të çmendur, skuadra e Valverdes zbriti sërish në ‘Camp Nou’, këtë herë për t’u përballur me Villarealin. Ndaj ‘nëndetëses së verdhë’, katalanët nuk e diskutuan për asnjë moment fitoren, duke mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë.

Philippe Coutinho hapi serinë e golave në minutën e 11’, ndërsa Paulinho në të 16-ën dhe Messi në të 45-ën, vulosën rezultatin 3-0 në pjesën e parë.

Në 45-minutëshin e dytë Villareali shënoi golin e vetëm me anë të Sanssones, ndërsa në minutat e fundit të takimit ishte Ousmane Dembele ai që shënoi një dopiete për Barcelonën dhe fiksoi rezultatin 5-1, me Barcelonën që tashmë shkoi në kuotën e 90 pikëve, kur kanë mbetur edhe dy javë për t’u luajtur.

Në sfidën tjetër të mbrëmjes, Reali i Madridit u mposht nga Sevilla me rezultatin 3-2. Në Andaluzi ishin vendasit që e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, falë golave të Ben Yadder dhe Layun, ndërsa në minutën e 84-t, ishte Segio Ramos që shënoi në portën e tij, duke thelluar avantazhin e vendasve.

Më pas skuadra e Zidane reagoi dhe shënoi dy gola, fillimisht me Mayoral dhe më pas me Sergio Ramos nga pika e penalltisë, por nuk pati më kohë për të synuar të paktën barazimin.

To Top