Kupa e Spanjes

Barça lë të hapur kualifikimin, Reali mbyll llogaritë në Numancia

Ndonëse shumë prej titullarëve i kishte lënë në stol, Barcelona mori një barazim 1-1 në transfertën ndaj Celta Vigos për Kupën e Mbretit. Katalanët gjetën të parët avantazhin në minutën e 15’, me anë të sulmuesit të ri, Jose Manuel, që dërgoi në rrjetë një pasim të mirë të Andrei Gomesit.

Celta, që në sfidat e fundit ishte shndërruar në një ‘mace të zezë’ për Barcelonën, gjeti golin e barazimit në minutën e 31-të, me anë të sulmuesit anësor, Sisto.Minutat në vijim sollën lojë dhe raste, por rezultati mbeti i pandryshuar, duke lënë çështjen e kualifikimit, për t’u zgjidhur në sfidën e kthimit.

Në këtë takim, u rikthye në fushë pas dëmtimit të gjatë, edhe blerja më e shtrenjtë e Barcelonës, Ousmane Dembele, që u aktivizua në 20 minutat e fundit të sfidës.

Ndryshe nga Barcelona, Reali i Madridit arriti të vulosë kualifikimin që në takimin e parë të Kupës, ndaj skuadrës së Secunda Division, Numancias. Skuadra e Zidanes triumfoi me rezultatin e thellë 0-3, ku 2 nga golat u shënuan me 11-metërsha nga Bale dhe Isco, ndërsa Mayoral shënoi të 3-tin në minutat shtesë.

Fitore të rëndësishme mori edhe Levante, në transfertën ndaj Espanyolit. Katalanët kaluan të parët në avantazh, por më pas pësuan 2 gola, duke komplikuar kualifikimin, që do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

Në sfidën tjetër, atë mes Leganesit dhe Villarealit, vendasit triumfuan me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar nga Amrabat, në fillim të pjesës së dytë.

To Top