Tenis

Australian Open “humbet” një tjetër “yll”, Serena Williamsin

Pas Andy Murray edhe Serena Williams zyrtarizoi mungesën e saj në turneun e Australian Open që nis pikërisht në datën 15 janar. Kjo është hera e parë që 7 herë kampionia e Melbournit, njëherazi edhe kampionia në fuqi e këtij kompeticioni, heq dorë nga Grand Slami Australian që nga viti 2011. Triumfi në finalen e vitit të shkuar në Melbourne, ku mundi pikërisht motrën e saj Venus, ishte edhe suksesi i fundit për tenisten para se të sillte në jetë vajzën e saj.  36-vjeçarja zhvilloi një ndeshje miqësore në Abu Dhabi javën e shkuar, ku humbi përballë Jelena Ostapenkos një test që rezultoi i dështuar për një profesioniste si ajo e që vërtetoi faktin se nuk është ende gati e në formën optimale për të zbritur në fushat e tenisit e aq më tepër në një turne të këtyre niveleve.

“Pas Abu Dhabit e kuptova se edhe pse jam afër standardeve të mia fizike dhe të lojës nuk kam arritur ende formën që më nëvojitet,” – deklaroi tenistja amerikane. “Kam dëshirën për të garuar, por nuk dua të mbetem vetëm në këtë kuadër, dëshiroj të kthem në gjendjen time më të mirë për të fituar sërish”.

Serena Williams numëron plot 23 Slam në të gjithë karrierën e saj, një më pak se rekordi i vendosur nga Margaret Court me 24 Slam të fituar.

 

To Top