Connect with us

Hi, what are you looking for?

Tenis

Australia Open, short dashamirës për Rafael Nadal

NADAL

Të hënën e ardhshme starton në Melbourne Park, edicioni i 106 i Australian Open, turneu i parë Slam i vitit. Kompeticioni i parë i madh i vitit 2018 do të zgjasë si zakonisht dy javë dhe gjithçka do të mbyllet më datë 28 janar.

Në qytetin më të populluar të Viktorias, u hodh edhe shorti për edicionin e ri, që u tregua vërtet shumë i mirë me tenistin spanjoll Rafael Nadal, pasi numri 1 i botës, në pamje të parë, gjendet i vetëm dhe i pa-ngacmuar në pjesën e sipërme të skemës përfundimtare me 132 tenistët pjesëmarrës.

Dihet te meshkujt do të mungojë vetëm Andy Murray, që aktualisht pozicionohet i 19-i në klasifikimin e përgjithshëm ATP, për shkak të operacionit të javës së kaluar në ije, ndërsa 3 lojtarët e tjerë, Rafael Nadal, Novak Djokoviç dhe Stan Wawrinka, pavarësisht problemeve të ndryshme fizike gjatë fazës përgatitore, për momentin janë përfshirë në short dhe do të luajnë rregullisht.

Në pjesën e sipërme, kampioni i vitit 2009 dhe njëkohësisht finalisti i edicionit të kaluar, Rafael Nadal do të përballet në turin hapës me numrin 81 të botës, 37-vjeçarin nga Republika Dominikane Victor Estrella Burgos.

Në krahun e tij, në sektorin e parë ndodhet John Isner, ndërsa në vazhdim deri në finale kundërshtarët e tij pritet të jenë Gilles Muller, prej të cilit u eliminua në Wimbledon, Marin Cilic, Grigor Dimitrov, Nick Kyrgios, Jo-Wilfried Tsonga apo edhe amerikani tjetër Jack Sock.

Pjesa e poshtme është e mbipopulluar me emra të mëdhenj dhe konkurrenca në këtë krah pritet të jetë tepër e ashpër. Kështu numri 2 i botës dhe kampioni në fuqi Roger Federer do të masë forcat në raundin e parë me tenistin slloven Aljaz Bedene.

Në sektorin e 8, 5 herë kampioni i Australian Open do të ketë shumë punë, pasi për të kaluar në fazën çerekfinale, 36-vjeçari zviceran duhet të mundë me radhë emra të tillë si Richard Gasquet e Milos Raoniç, ose një nga dy tenistët Sam Querrey e Feliciano Lopez, që do të ndeshen ndërmjet tyre që në turin e parë.

Për të shkuar në gjysmëfinale, fituesi i 19 titujve Slam në karrierë, duhet patjetër të kalojë një nga dy lojtarët e tjerë, David Goffin e Juan Martin del Potro, që janë pikërisht dy tenistët e vetëm që i kanë shkaktuar humbje ‘Mbretit’ të këtij sporti në 25 takimet e fundit, respektivisht në Londër në ATP World Tour Finals, si dhe Slam-in New York-ez në Flushing Meadows.

Në pjesën e poshtme, përveç Federerit, gjenden gjithashtu edhe Novak Djokoviç e Stan Wawrinka. Nole, që numëron 6 tituj gjatë dekadës së fundit në Melbourne Park, nuk zhvillon një ndeshje kompetitive prej plot 6 muajsh, që nga turneu i Wimbledonit, gjithsesi, tenisti serb që në Australian Open mban numrin 14, do të nisë aventurën e tij me tenistin nga Shtetet e Bashkuara, Donald Young.

Djokoviç ka në sektorin e 6 numrin 4 të botës, gjermanin Alexander Zverev, ndërsa fituesi i vitit 2014, Stan Wawrinka, në sektorin e 5-të ka austriakun Dominic Thiem, por gjithsesi 32-vjeçari helvet, që mungon edhe ky që prej Slemit në All England Club, do të ketë përballë në turin hapës tenistin lituan Ricardas Berankis.

Te femrat, siç dihet nuk do të marrin pjesë Serena Williams dhe Viktoria Azarenka, që në Melburn kanë fituar 4 nga 6 edicionet e fundit. Numri 1 i botës në renditjen WTA, rumunia Simona Halep do të ndeshet në raundin e parë me tenisten vendase Destanee Aiava, ndërsa në pjesën e poshtme numri 2, danezja Caroline Wozniacki do të vihet përballë numrit 57 në rruzull, tenistes nga Rumania Mihaela Buzarnescu.

Në dyshim mbetet pjesëmarrja e numrit 3 të klasifikimit botëror, spanjolles Garbine Muguruza, që u tërhoq për arsye dëmtimi si nga Brisbeini, ashtu edhe nga turneu i Sidneit.

Lajme të tjera

Futboll

Maroku po përgatitet për të ndërtuar stadiumin më të madh në botë. Bëhet fjalë për një impiant futuristik, që dhe do të jetë ndër...

Kombëtare

Nga Stokholmi në Madrid. Trajneri Sylvinho nuk humb kohë aspak dhe fill pas miqësores Suedi-Shqipëri, ka fluturuar drejt kryeqytetit spanjoll për të ndjekur live...

Legjionarët

Napoli i dashuruar me shqiptarët. Pas Amir Rrahmanit, që është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes, klubi napolitan synon të sjellë në “Diego Armando...

Kombëtare

Armando Broja do të jetë zgjedhja e parë për Europianin. Mendon kështu gazetari dhe komentatori i mirënjohur, Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” në...