Atletico e Madridit nuk ka ndërmend të dorëzohet në garën për titullin e La Ligas, edhe pse Barcelona mbetet favorite absolute për ta rrëmbyer këtë trofe. “Los Colchoneros” fituan thellë 3-0 ndaj Celta Vigos në “Wanda Metropolitano”, duke shkuar në kuotën e 64 pikëve, 8 më pak se “blaugranat”.
Antoine Griezmann shbllokoi takimin në fund të pjesës së parë, ndërsa në të 56-ën francezi shërbeu me zgjuarsi Vitolon, që shënoi të dytin përballë portierit Blanco.
Golin e tretë dhe të fundit, që vrau shpresat e Celtas për rezultat pozitiv e realizoi Correa në të 67-ën.
Në takimin e mesditës Espanyoli fitoi 2-1 me Real Sociedadin, që nuk arriti ta ruante avantazhin e pjesës së parë, falë golit të Willian Jose. Baptistao dhe Morena përmbysën rezultatin në pjesën e dytë, për fitoren e 8-të sezonale të katalanëve.