Tenis

Andy Murray ‘në luftë me kohën’ për turneun e Wimbledonit

Andy Murray është duke bërë gjithçka për t’u riaftësuar në kohë për turneun e Wimbledonit, që zhvillohet nga data 2 deri më 15 korrik si zakonisht në kryeqytetin britanik. Ish-numri 1 i botës vazhdon të qëndrojë jashtë fushave të lojës për shkak të një dëmtimi në ije dhe tenisti skocez nuk luan që nga korriku i vitit të kaluar, më saktë që pas eliminimit në 5 sete, në çerekfinale pikërisht në All England Club nga tenisti nga Shtetet e Bashkuara Sam Querrey.

Të martën e ardhshme Andy Murray do të festojë 31-vjetorin, e tenisti britanik është duke luftuar me kohën dhe po bën çmos për t’u përgatitur sa më mirë për sezonin në fushat me bar, që në fakt nis muajin tjetër. Aktualisht Murray ka rrëshqitur në pozicionin e 39 në klasifikimin e përgjithshëm botëror ATP me vetëm 1.180 pikë, pra plot 1.840 pikë më pak se sa tenisti që mbyll d10-shen e parë në këtë renditje, tenisti belg David Goffin.

Këtë herë është vetë nëna e tij, Judy Murray që në programin Victoria Derbyshire Show konfirmoi se Andy po përpiqet me të gjitha forcat dhe objektivi është pikërisht për t’u rikthyer në fushat me bar. Shtypi britanik spekuloi për një përkeqësim të situatës për tenistin britanik, pas tërheqjes së Murray-t nga turneu në Loughborough, aktivitet Challenger që do të zhvillohet nga data 19 deri më 27 maj në Leicestershire, turne indoor që organizohet për herë të parë dhe ku fituesi në fund do të shpërblehet me një çek të majmë prej 100.000 dollarësh.

E pyetur nga drejtuesja e programit të BBC Two nëse i druhej mbylljes së parakohshme të karrierës nga ana e djalit të saj më të vogël, Judy iu përgjigj duke insistuar se Andy ka ende edhe shumë për të dhënë në këtë sport. Për hir të së vërtetës Andy Murray u rikthye në fillim të sezonit në Brisbane, por në mënyrë të papritur më pas ish-numri 1 i botës vendosi të mos marrë pjesë si në Queensland, ashtu edhe në Australian Open, duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje tjetër kirurgjikale në ije. Zyrtarisht Murray pritet të rikthehet për të luajtur më 11 qershor në turneun e përvitshëm të Rosmalen-it, që zhvillohet si zakonisht në Hertogenbosch të Holandës, turne me vlerën e 250 pikëve që organizohet në fushat me bar.

To Top