Kategoria Superiore

Ahmataj: Merremi vetëm me fushën, Kamza ka dy shanse për mbijetesën

Ndaj Laçit në fundjavë është “match-point”-i i parë për Kamzën që të arrijë objektivin e mbijetesës në Kategorinë Superiore. Pas ecurisë me pesë ndeshje pa humbje, nga të cilat dy janë fitore, trajneri Julian Ahmataj ka besim te skuadra që drejton.

Julian Ahmataj

“E kemi sjellë situatën që kemi dy shanse për rezultat pozitiv dhe të sigurojmë mbijetesën. Duhet të luftojmë si kemi bërë në çdo ndeshje”.

Edhe pse ndeshja kundër kurbinasve cilësohet si një finale, drejtuesi i stolit kërkon të largojë presionin nga skuadra, për të evituar që ngarkesa psikologjike të ndikojë në performancën e Kamzës.

Julian Ahmataj

“Nuk e kam vënë asnjëherë skuadrën nën presion. Çdo ndeshje vlen tre pikë. Kemi arritur të marrim maksimumin në shumicën e ndeshjeve, të marrim maksimumin edhe në dy ndeshjet e mbetura dhe të na qetësojë drejt mbijetesës, por pa e vënë skuadrën nën presion”.

Në një kohë kur të gjithë janë të përqendruar te llogaritë e mbijetesës, Ahmataj nuk preferon të komentojë situatat jashtë fushës.

Julian Ahmataj

“Nuk jam marrë aspak me pjesën e arbitrave, apo me rregullimin dhe mbarëvajtjen e garës. Këtë jam munduar t’ia transmetoj edhe lojtarëve. Rezultatet t’ia lëmë fushës”.

Pezullimi me kartonë i kapitenit Sebino Plaku është mungesa më e rëndësishme e Kamzës për sfidën e së shtunës. Një problem jo i vogël për ekipin, edhe pse trajneri i jep përparësi grupit përpara individit.

Julian Ahmataj

“Forca e grupit triumfon mbi individin, por Sebino është kapoiteni i skuadrës. Por në një skuadër është grupi më i rëndësishëm”.

To Top