Kristal Abazaj zyrtarizoi kalimin te klubi belg i Anderlechtit në mënyrë të befasishme pasditen e sotme. Talenti i Luftëtarit kishte udhëtuar për në Blegjikë, ku nënshkroi një kontratë 3-vjeçare, me opsion zgjatjeje edhe për dy sezone të tjerë, ndërsa klubi belg njoftoi transferimin e tij edhe në rrjetet sociale.
Paraprakisht mësohet se kartoni i Abazajt i ka kushtuar plot 750 mijë euro klubit të Anderlechtit, para këto që do të shkojnë në arkën e Skënderbeut. Klubi korçar bleu kartonin e Kristal Abazajt në janar të këtij viti, duke i paguar Luftëtarit plot 300 mijë euro, me shpresën për ta reklamuar sulmuesin në Europë dhe për t’i rritur vlerën edhe më shumë.
Gjithsesi, komplikimi i pjesëmarrjes në kompeticionet europiane mund të ketë ndikuar që Skënderbeu të nxitojë shitjen e Abazajt, operacion që gjithsesi nxjerr të fituar klubin korçar, pasi blerja dhe shitja e sulmuesit i lë një plusvalencë prej rreth 450 mijë eurosh.
Natyrisht që kjo shumë është mjaft e konsiderueshme, duke menduar se Abazaj nuk iu bashkua për asnjë moment fizikisht Skënderbeut dhe klubi korçar nuk investoi asgjë për rritjen dhe përmirësimin e cilësive të tij sportive.