Futboll

3 “finale” në 9 ditë, Partizani luan fatet e sezonit

Moment vendimtar për Partizanin. Barazimi me Laçin ka lënë shije të hidhur por në kampin e kuq duhet harruar sa më shpejt. Brenda 9 ditësh skuadra e Sulejman Starovës përballet me një tur të vërtetë force që mund të vendosë shumë për fatin e sezonit të 15 herë kampionëve. Në radhë janë kundërshtarët më të fortë që mund të rezervonte kalendari, përballje vendimtare me Flamurtarin në Kupë, supersfidë me Kukësin në kampionat të hënën e ardhshme, ndërkohë që vetëm 3 ditë më pas luhet me skuadrën më të mirë të momentit Skënderbeun. Jashtë luftës për titull, Kupa e Shqipërisë dhe kualifikimi në Europë janë jo thjesht motiv krenarie por edhe tejet të rëndësishëm për klubin edhe në këndvështrimin e të ardhmes, me 3 takimet e radhës që do të vendosin shumë edhe në lidhje me mundësitë e Partizanit për të arritur objektivat tanimë të ridimensionuar në një sezon me shumë më tepër hije se sa dritë në kampin e kuq. Të mërkurën Flamurtari vjen në Selman Stërmasi i fortë me avantazhin e një goli, Partizanit i duhet të shënojë me çdo kusht për të realizuar përmbysjen me finalizimin që mbetet një problem konstant. Për më tepër Flamurtari të treja përballjet sezonale me Partizanin i ka fituar me të njëjtin rezultat 1-0 duke mos pësuar gol, dhe gëzon statistikat e mbrojtjes më të mirë të kampionatit. Përballë skuadrës së Duros në të kuotuar për të zbritur në fushë Progni dhe Bardhi, edhe për faktin se që të dy janë të pezulluar për ndeshjen e radhës në kampionat me Kukësin, problem më vete ky për Starovën por zgjidhja e të cilit për momentin mund të presë, më parë duhet menduar për Flamurtarin.

To Top